TIRANE – Brenda 10 ditësh arrin në 1073 numri i personaliteteve shqiptare, intelektualë, artistë, shkrimtarë, akademikë, mjekë, sportistë, pasardhës të firmëtarëve të aktit të pavarësisë, ish të përndjekur politikë etj që i bashkohen nismës së elitës shqiptare në letrën drejtuar z.Rama, ku i kërkojnë të mos pengojë deputetët të votojnë tre ligjet. Këtij apeli i janë bashkuar sot 317 emra të mirënjohur.
Peticionin drejtuar z. Rama e kanë mbështetur sot me firmat e tyre veteranë të Luftës, ku spikasin emrat e Liri Belishovës, Rrahman Parllakut, Edip Ohrit, kolonel Ali Demushit, etj.
Personaliteteve shqiptare, në apelin e tyre drejtuar zotit Rama, i janë bashkuar akademikë, drejtues të katedrave prestigjioze nga universitetet në mbarë vendin, nga arkitektura, inxhinieria e mjedisit, të shkencave biologjike, ekonomike, të së drejtës dhe të mjekësisë.
Nismëtarët e kësaj lëvizjeje theksojnë se kjo nismë nuk ka ngjyrime politike. Interesi i vetëm është interesi kombëtar. Ata i bëjnë apel z.Rama të bashkohet me të gjithë shqiptarët, të lejojë deputetët të votojnë tre ligjet, e të mos pengojë më rrugën e shqiptarëve drejt Shtëpisë Europiane.





