10 raste me tuberkulozë janë hospitalizuar dhe po trajtohen aktualisht në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Derisa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 108 raste me tuberkulozë në këtë klinikë, numër ky i njëjtë me po këtë periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë për KosovaPress thotë se deri në qershor të këtij viti janë paraqitur 84 raste me tuberkuloz pulmonare, 20 me ekstrapulmonare dhe 4 të tjera me atë latete

“Sa i përket numrit të rasteve të reja me tuberkuloz të cilat janë mjekuar në Klinikën e Pulmologjisë, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, kemi pasur 84 raste tuberkuloz pulmonare, 20 raste me tuberkuloz ekstrapulmonare dhe 4 raste tuberkuloz latete.

Të gjitha bëjnë diku si shifër rreth 108 raste. Edhe në vitin 2023 (gjashtëmujorin e parë, koincidon që të jetë po i njëjti numër, vetëm që dallon në aspektin e tuberkulozës pulmonare kanë qenë 92 raste, 12 raste tuberkuloz ekstrapulmonare dhe 4 raste latete, por që gjithsej bëjnë po i njëjti numër 108 raste”, thotë Hoxha.

Hoxha potencon se në Klinikën e Pulmologjisë aktualisht po trajtohen 10 raste me antituberkularë.

Ndër të tjera, për KosovaPress Hoxha thekson se Klinika e Pulmologjisë viteve të fundit ka probleme me numrin e vogël të shtretërve.

Po ashtu, ai e shpreh si të nevojshme rritjen e numrit të infermierëve për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve. Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë.

Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet. /KosovaPress/