Prej 11 ditësh rezultojnë të zhdukur pa nam e nishan 46 vjeçarët Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi. Policia e Sarandës vazhdon ende kqyrjen e kamerave filmike në mjedise të ndryshme të qytetit dhe po mbledh çdo informacion të mundshëm në rrugë operative por dhe nga marrja në pyetje e familjarëve dhe rrethit shoqëror të të zhdukurve.
Mësohet se ditët e fundit kanë ardhur në Sarandë edhe përfaqësues të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë për të asistuar në hetimet që po kryhen, por ende nuk dihet, të paktën publikisht, asnjë rezultat konkret. Familjarë të të dy të zhdukurve janë mbledhur në Sarandë, madje duke ardhur edhe nga Greqia.
Ata mësohet se po zhvillojnë kërkime edhe privatisht për gjetjen e të zhdukurve madje duke menduar edhe më të keqen. Burime pranë grupit hetimor bëjne me dije se është i pamundur gjurmimi i telefonave të Thodhorit dhe Sulovarit pasi janë të fikur.