NJU JORK, 1 prill 2013 – Autoritetet e Nju Jorkut rifilluan sot kërkimin e eshtrave të njerëzve që gjetën vdekjen më 11 shtator të vitit 2001 si pasojë e shembjes së kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Gjatë 2.5 viteve të fundit në vendin ku më parë ngriheshin kullat binjake janë mbledhur 60 kamionë me fragmente materialesh ndërtimi, të cilat supozohen se do të kontrollohen një për një. Autoritetet shpresojnë se mes tyre mund të gjenden fragmente eshtrash të viktimave që humbën jetën nga sulmi terrorist. Për herë të fundit një operacion i tillë u krye në vitin 2010.

Të gjitha eshtrat e gjetura do të studjohen në laborator dhe do të krahasohen me mostrat e ADN-së në dispozicion të viktimave të tragjedisë së vitit 2001. Atëherë si rezultat i shembjes së kullave binjake gjetën vdekjen 2.750 persona, por deri më tani janë identifikuar eshtrat e vetëm 1.634 njerëzve.