Të paktën 11 persona u shoqëruan në Nikël të Krujës, në operacionin e nisur nga autoritetet policore mëngjesin e kësaj të mërkure. Burime të policisë thanë për tvklan.al se mes të shoqëruarve është edhe Durim Bami, Valter Bami, Flamur Haka, si dhe anëtarë të tjerë të fisit Haka.

Momentalisht nuk dihet ende arsyeja e shoqërimit të këtyre personave.

Durim Bami nuk është emër i panjohur për policinë, por edhe publikun. I akuzuar për kallëzim të rremë për atentatin e pretenduar ndaj Tom Doshit, ai u la i lirë pak muaj më parë, pasi gjykata shuajti masën e sigurisë arrest shtëpie për kalim të afateve.

Ndërsa i shoqëruari tjetër, Flamur Haka konsiderohej si koka e grupit të Niklës, aktiv në këtë zonë që prej 1998-s. Në 2008-ën ai u dënua me 16 vjet burg për grabitje me dhunë, atentat e rrëmbim personi.

Forca të shumta RENEA dhe ato Speciale rrethuan zonën e Niklës, orët e para të mëngjesit të sotëm. Të shoqëruar dhe me blinda ato bënë kontrolle nëpër banesa dhe lokale.

Operacioni drejtohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Autoritetet mësohet se kanë bllokuar mjete, si dhe kanë gjetur armë e municione.