Mëlçia luan rol kyç në funksionin fiziologjik të trupit. Ajo na shpëton nga helmet e përditshme dhe ndihmon tretjen e ushqimit. Është laboratori kryesor i përpunimit të lëndës së parë.

Një mëlçi funksionale shërben si motor djegës i yndyrës; ajo kthen lendet ushqyese në përbërës jetësor për qelizat tona të cilat transportohen nëpërmjet gjakut, depoziton vitaminat dhe mineralet dhe prodhon enzimat të cilat janë jetike për ekuilibrin hormonal. Mëlçia gjithashtu luan rol të rëndësishëm në sistemin imunitar, në luftën kundër baktereve dhe infeksioneve dhe prodhon lëngun biliar – i domosdoshëm për tretjen e yndyrnave. 

Mëlçia mund të rrezikoj nga sëmundje të trashëgueshme, nga infektimi me viruse apo nga intoksikimi me helme. Nga abuzimi dhe neglizhenca me këtë organ, mund të shfaqen pasoja si sëmundje zemre, obezitet, dhimbje koke, lodhje kronike dhe alergji.

Edhe pse ne mbrohemi nga sistemi ynë imunitar, është mëlçia ajo që e mbron sistemin imunitar nga mbingarkesa.

Për te siguruar shëndetin e mëlçisë është e domosdoshme të evitojmë alkoolin, duhanin, sheqerin e tepërt dhe të pimë ujë mjaftueshëm.

10 ushqimet që kurojnë mëlçinë

Hudhrat

Hudhrat aktivizojnë një enzimë e cila shpërben toksinat. Alicina dhe Selenium janë dy përbërës të hudhrës të cilët forcojnë pastrimin e mëlçisë.

Qitro

Lëngu i qitros ndihmon në eliminimin e toksinave kancerogjene dhe ofron kombinim të shkëlqyer të vitaminës C dhe antioksidanteve.

Panxhari

Përmban flavonoide që ndihmojnë proceset fiziologjike të mëlçisë.

Kafja

Studimet tregojnë se kafja ndikon pozitivisht në shëndetin e mëlçisë edhe pse mekanizmi mbetet pak i turbullt.

Gjethet jeshile

Rukola, pazite, spinaqi dhe sallata jeshile ndihmojnë në përthithjen e metaleve të rënda në sajë të fibrave të tyre bimore. Në këtë mënyrë ato ulin ngarkesën e mëlçisë me këto përbërës të padegradueshëm.

Çaji jeshil – në veçanti Matcha

Përmbajtja e lartë në katekina – një antioksidant tipik i bimës Camelia Sinensis, ndihmon shëndetin e mëlçisë dukshëm. Studimet tregojnë se konsumi i çajit jeshil sjell rezultate shumë të dobishme në rastet e mëlçisë së dhjamosur pasi ul akumulimin e acideve lyrore në këtë organ. Matcha jeshile për më tepër ndihmon ndjeshëm luftën kundër viruseve të mëlçisë si hepatatiti.

Asparagu

 Asparagu rezulton ushqimi ideal për ata që konsumojnë alkoolin! Përbërja e tij e jashtëzakonshme në lëndë ushqyese ka një efekt mbrojtës të mahnitshëm për mëlçinë nga veprimi tepër toksik i alkoolit në qelizat e saj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë kurrsesi të tejkalojmë masën me alkoolin, ai mbetet toksik!

Brokoli dhe lulelakra

Këto lloj zarzavatesh kanë një efekt të veçantë në forcën detoksifikuese të mëlçisë në sajë të disa përbërësve të quajtur glucosinolate – të cilët duket të jenë një armë e fortë kundër toksinave kanceroze.

Turmeriku dhe kanella

Këto erza po njihen gjithnjë e më shumë për rolin e tyre antioksidues dhe antiinflamator. Ato mbështesin tretjen dhe lehtësojnë mëlçinë në punën e saj. Në veçanti kanella ka veti mbrojtëse të fuqishme kundër baktereve dhe viruseve.

Arrat

Arrat përmbajnë glutathion- antioksidant që renditet i pari për nga rëndësia kur behet fjalë për detoksifikimin e mëlçisë. Këtu ajo vjen bashkë me acide lyrore tepër të dobishëm si ato të tipit omega -3, të cilët gjithashtu luftojnë inflamacionin dhe gjithshka toksike që ai prodhon.

Agjinarja

Në saje te përbërësit -cynarin- kjo lule luan rol kundër depozitimit të dhjamit dhe prodhimit te kolesterolit në mëlçi. Për më tepër, ekstrakte të agjinares e mbrojnë mëlçinë nga dëmtimi që mund të pësojë nga toksinat me të cilat bie në kontakt.

Këshilla të tjera

Evitoni ushqimet e përpunuara dhe të konservuara.

Bëni kujdes me preparate të ndryshme plotësues që merrni në përditshmërinë tuaj. Të gjithë suplementet ushqimor përmbajnë konservante dhe kimikate të cilat mund të jenë toksik për mëlçinë, sado "natyral" të reklamohen.

Mos prekni dhe mos nuhasni lëndë toksike si diluent, pesticide, llak, bojra kimike, detergjente etj

Evitoni sa të mundeni përdorimin e kimikateve në shtëpi dhe në trupin tuaj. Lëkura përthith gjithçka.

Mbani në shtëpi bime që pastrojnë ajrin.

Mos harroni, mëlçia është një organ që fal por ka limitet e saj!