Prej 11 vitesh i është përkushtuar arbitrimit dhe çdo ditë e saj fillon në fushën e blertë me stërvitjen e zakonshme. Edjena Kapxhiu kërkon të jetë në formë maksimale fizike, sidomos tani që arbitron edhe ndeshje ndërkombëtare futbolli. Pasioni i nisur që në moshë të re është kthyer në profesion me kalimin e viteve.

“Nisi si diçka normale, si diçka e re, e iniciuar nga zysha ime e 9-vjeçares, duke qenë se e kam nisur që e vogël dhe është kthyer në pasion tashmë. Në fakt të gjithë ishin skeptikë, për më tepër edhe familja ime, pasi ishte diçka e re si për mua edhe për ata, le ta themi ishte një mosbesim nga të dyja palët, por dalëngadalë ti shef pëfitimet që sjell pasioni, kjo lloj pune”, tha ajo për “DurrësLajm“.

Në fund të janarit të këtij viti, ajo hyri në histori së bashku me kolegen e saj Emanuela Rusta si një nga arbitret shqiptare që drejtoi një ndeshje të UEFA Women’s Champions League. Pozicionin e asistentes së arbitrit kryesor e ka zgjedhur vetë për një arsye të thjeshtë.

“Unë kështu e kam zgjedhur që na hapat e mi të parë, që të jem një asistente. Më pëlqente të jem në një qoshe, për të qenë një pjesë e rëndësishme e arbitrimit, e futbollit dhe për të vendosur drejtësi në shumë situata delikate”, tha Edjena.

Angazhimi shumëvjeçar në sport shoqërohet me dëmtime, e prej tyre nuk ka shpëtuar as Edjena.

“Ka shumë momente delikate dhe të vështira, por një ndër më të vështirët është dëmtimi që ndodh në fushë. Kam pësuar goxha dëmtime, diku tek tre, nuk kanë ndodhur të gjitha brenda fushës edhe gjatë stërvitjes dhe seancave stërvitore, normalisht mund të jesh një ose dy muaj jashtë arbitrimit.”, u shpreh ajo.

E ndërsa ky 8 mars e gjen në stadiumin “Niko Dovana” duke u stërvitur, ajo synon të punojë si asistente edhe për 2 dekada të tjera, pasi përveçse pasion, ky angazhim garanton një stil jetese të shëndetshme.

“I uroj të gjithave gëzuar 8 Marsin. Jo aspak xhelozi, jam mësuar këtu është pjesë e rutinës, është shumë bukur të jesh këtu. Ka edhe disa raste kur nervat e tua duhet të vish dhe ti nxjerrësh këtu, për të pasur një ditë akoma më të bukur”, tha ajo.

Pajisja me stemën e FIFA-s i siguron Kapxhiut pjesëmarrje të vazhdueshme në ndeshje ndërkombëtare duke garantuar kështu një sukses për arbitrimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

M.B.