Një vajzë indiane e moshës 11 vjeçare u dogj e gjallë nga dy gra, nënat e dy shoqeve të saj si ndëshkim pasi kishte “bërë spiunen” lidhur me një vjedhje në kopshtin e një fshati në shtetin e Orissa në verilindje të vendit.

Pak momente më vonë vajzës i erdhi në ndihmë gjyshi, i cili e çoi me urgjencë në spital, por vogëlushja gjeti vdekjen për shkak të plagëve të marra në trup.

Vogëlushja, mban emrin Rinki Behera, kishte hyrë të mërkurën e kaluar bashkë me dy bashkëmoshataret e saj në pronën e një bashkëfshatari për të vjedhur disa fruta.

E mitura më pas kishte treguar identitetin e bashkëpunëtoreve të saj të zotit të kopshtit, i cili menjëherë pas kësaj kërkoi llogari te prindërit e tyre për gjithë sa ka ndodhur.

Por në vend që të qortonin të bijat, nënat e tyre morën një bidon me benzinë dhe shkuan në shtëpinë e Rinki, dhe i vunë zjarrin.