Është vetëm 11 vjeçe, por talenti i saj për muzikën i ka kapërcyer kufijtë kombëtarë.
Është bërë pjesë e konkurseve brenda e jashtë vendit dhe është konsideruar një prej pianisteve të reja me shumë talent dhe shije.
Kristel Karagjozi është nxënëse në klasës së pestë në shkollën artistike të Durrësit “Jan Kukuzeli”. Ajo e ka me pasion muzikën dhe nëpërmjet tasteve të pianos së saj ajo ka arritur në një kohë relativisht të shkurtër, të shkëlqejë në skenat e vendit dhe në ato ndërkombëtare, duke qenë fituese e konkurseve me çmimet e para. Së fundmi ajo ka marrë pjesë e ka marrë trofeun e çmimit të parë të konkursit “Pianisti i ri”.
Kristeli thotë se muzika është gjithçka për të. Hapat e parë në piano ajo i hodhi me vullnet nën drejtimin mësueses Katerina Kume, të cilës i është mirënjohëse. Sot ndihet e barabartë me shoqet e saj më të rritura, që janë të apasionuara pas muzikës.
Kristeli ka shumë vullnet dhe kalon orë të tëra gjatë ditës në piano duke studiuar. Ajo është e bindur për të konsoliduar ëndrrat në skenat e mëdha të artit. 11- vjeçarja po pregatitet për të marrë pjesë në muajin shtator në një event muzikor në Itali.
Ajo thotë se pianoja është një nga preferencat e saj më të mëdha dhe se do të jetë pjesë e pandarë e jetës së saj në të ardhmen.
K.H.