Festimet për 28 nëntorin kanë kulmuar me festivalin e këngëtares me famë botërore, Dua Lipa në sheshin ‘Skëndërbej’. Si asnjëherë tjetër në shesh janë mbledhur mijëra qytetarë të cilët kanë sfiduar temperaturat e ulëta, për të ndjekur spektaklin e yllit botëror në këtë ditë të shënjuar për shqiptarët.

Koncerti nisi rreth orës 19:00, me një performancë të këngëtares shqiptare Elvana Gjata, ku në kor me të pranishmit kënduan këngën ‘kuqezi’ duke krijuar një atmosferë elektrizuese, kryefjalë e së cilët kanë qenë padyshim notat patriotike.

Më pas, në skenë ka mbërritur Dua Lipa e cila ka zgjedhur pikërisht Tiranën, kryeqytetin shqiptar dhe 28 nëntorin për të përfunduar turin e saj ‘Future Nostalgia’. E veshur si një ‘xixëllonjë’ sigurisht nuk mund të mungonte edhe simboli i shqiponjës nga ana e Duas që rrëmbeu duartrokitjet e mijërave qytetarëve në shesh.  Gjatë koncertit, Dua ftoi të gjithë të pranishmit të festojnë së bashku festën e Pavarësisë, ndërsa i falenderoi të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë.

“Faleminderit shumë, urime 110 vjetorit të pavarësisë. Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut, këtu sot përfundojmë në Tiranë me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu”, u shpreh Dua Lipa.