Në një aktivitet të organizuar me rastin e 110 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, kryepolici Muhamet Rrumbullaku deklaroi se dita e sotmë është një ditë feste, por edhe një ditë reflektimi.

Gjatë fjalës së rij, Rrumbullaku theksoi se sot më shumë se kurrë qytetarët kanë përballë një polici profesioniste, bashkëpunëtorë me uniformë policie për t’u ardhur në ndihmë kudo dhe kurdo.

“Sot është një ditë feste, përzier me reflektim, ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe përulje të thellë. Nxënës shembullorë të mësimeve të së shkuarës, luftëtarë të së tashmes dhe gjithmonë e më të denjë drejt së ardhmes, kremtojmë këtë 110-vjetor, kryelartë përballë qytetarëve tanë, të cilët sot më shumë se kurrë, kanë duar profesionistësh, duar miqsh dhe duar bashkëpunëtorësh, me uniformë policie, të shtrira për t’u ardhur në ndihmë kudo dhe kurdo”-tha Rrumbullaku.

Ndër të tjera ai theksoi se punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit por ndihmohen edhe nga pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, nga çelja e një epoke të re bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe nga filozofia e kontaktit të drejtpërdrejtë me problematikën e qytetarit.

“Punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit. Pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, çelja e një epoke të re për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe filozofia e kontaktit të drejtpërdrejtë me problematikën e qytetarit, bëjnë që 13 janari i vitit 2023 të na gjejë shumë herë më të sigurtë, më të mbrojtur, më efecientë dhe më profesionistë.

Ne zotohemi përballë qytetarëve tanë se puna e Policisë së Shtetit do të vijojë të mbetet thellësisht e pranishme dhe fisnike, në jetët e shqiptarëve, si dhe se do të jetë në koherencë të plotë me hapat e ndryshimit të përditshëm të shoqërisë sonë. Brezat e rinj të Policisë së Shtetit me përgjegjshmërinë dhe atdhedashurinë që i karakterizojnë, do të vijojnë të lënë gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit, e cila shtrihet tashmë në 2 shekuj. Kjo armatë e re profesionistësh dhe të përkushtuarish, do të kontribuojnë për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit, për qytetarët që besojnë në punën e Policisë dhe e mbështetin atë, të sigurtë se kjo është mënyra e vetme, për t’i dhënë këtij vendi, stabilitetin dhe integritetin që meriton të ketë.

Të nderuar kolegë në çdo skaj të vendit, të nderuar qytetarë, familjarë të dëshmorëve, veteranë të Policisë, të nderuar të pranishëm: Me një fragment nga Himni i Flamurit, “Shqipëria do të rrojë; Për të, për të,  luftojmë ne!…”, ju uroj përzemërsisht Gëzuar 110-vjetorin e Policisë së Shtetit”- tha Rrumbullaku.