Policia e Shtetit feston sot 111-vjetorin e krijimit. Me këtë rast në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u zhvillua një ceremoni solemne ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të strukturave lokale të rendit, drejtues të institucioneve vendore, si dhe efektivë të policisë.
Ceremonia nisi me ngritjen e flamurit dhe himnin kombëtar për të vijuar më pas me fjalën e rastit të drejtorit të policisë Durrës, Skënder Hita.

Gjatë rezymesë së punës së policisë përgjatë vitit që lamë pas, drejtori Hita nënvizoi rritjen e konsiderueshme të zbulueshmërisë së veprave të rënda penale ndaj personit apo pasurisë.
Kreu i policisë e vlerësoi të suksesshme punën e efektivëve të rendit gjatë sezonit turistik, pasi megjithë volumin e madh të punës për shkak të numrit të lartë të turistëve dhe pushuesve, nuk janë konstatuar problematika.
“Dua të falenderoj të gjitha strukturat dhe punonjësit e drejtorisë vendore, të cilët e profesionalizëm, përkushtim dhe kontributin e tyre në punë janë produkt i rezultateve dhe progresit tonë në luftën kundër krimit, sigurisë rrugore, mbrojtjes së rendit publik, shërbimit ndaj qytetarëve në përputhje të plotë me ligjin, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut dhe parimet kushtetuese të shtetit juridik”,– tha ndër të tjera drejtori Hita.

Në fund të ceremonisë, efektivët e policisë Ilia Muça, Feride Mulaj dhe Roxher Ibrahimi u nderuan me certifikatë mirënjohjeje, akorduar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
M.B.





