Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hartuar së fundi një projekt-strategji kombëtare 3 vjeçare për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykata, të cilat janë kthyer në një pengesë serioze të aksesit për drejtësi. Rreth 114 mijë dosje janë në pritje për t’u gjykuar sipas këtij dokumenti, i cili sheh si zgjidhje kryesore rritjen e ndjeshme të numrit të gjykimeve për një gjyqtar në vit, në një kohë kur këta të fundit janë reduktuar për shkak të procesit të rivlerësimit.
Strategjia përfshin edhe disa masa në ndihmë të trupave gjyqësore. Pedagogë në fushën e drejtësisë dhe gjyqtarë të pyetur nga Zëri i Amerikës, shprehen skeptikë për zbatimin e saj.Në projekt strategjinë e KLGJ, e cila merr në analizë 4 nga 20 gjykata në vend, të cilat kanë volumin më të lartë të çështjeve të prapambetura, rreth 75%, konstatohet se stoku i dosjeve filloi të krijohet pas vitit 2018, moment që përkon me pakësimin e trupës gjyqësore për shkak të procesit të vettingut.
Situata paraqitet më e rëndë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku ushtrojnë detyrën 26 nga 78 gjyqtarë, ose 33% e trupës gjyqësore dhe në atë administrative të shkallës së parë në Tiranë që ka aktualisht 60% të trupës, ndjekur nga ajo e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm po në Tiranë me 62% dhe ajo administrative e apelit me mbi 80 përqind.
Për pasojë dhe numri i shqyrtimit të çështjeve në këto gjykata ka rënë në raport me numrin e çështjeve të ardhura, duke sjellë dhe shtimin të dosjeve të prapambetura.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka numrin më të lartë të çështjeve të prapambetura me mbi 37 mijë, (52 mijë në pritje për t’u shqyrtuar) ndjekur nga ajo administrative e apelit me afro 23 mijë të tilla. Ndërsa në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë janë në pritje 19
mijë dosje dhe në atë të shkallës së parë administrative po në Tiranë rreth 7 mijë dosje në pritje.
Një prej objektivave kryesorë për uljen e çështjeve të prapambetura lidhet me rritjen e numrin e dosjeve të gjykuara nga një gjyqtar në vit. KLGJ konstaton se në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm numri i çështjeve të shqyrtuara mesatarisht nga një gjyqtar aktualisht është 347 dosje në vit. Skenari që sheshon stokun e dosjeve të prapambetura në vitin 2029, në këtë gjykatë parashikon një rritje me 50% të normës së gjyqtarëve, ndërsa në draft përmenden dhe skenarë me 10 apo 20% të rritjes së kësaj norme.
Norma e punës së gjyqtari përcaktohet me një vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD-së), të vitit 2010, ku si kriter vlerësimi për gjyqtarët e Apelit, përcaktohet një normë prej jo më pak se 150 çështje penale në vit, apo 200 çështje në rastet civile.
KLGJ deri tani nuk ka përcaktuar një normë të re, ndërsa sugjeron të marrë për bazë mesataren aktuale, e cila në vetvete është gati dyfish i normës në fuqi. Propozimi për ta rritur më tej, deri me 50 përqind, shihet me shqetësim nga gjyqtarët e Apelit, të cilët thonë se kanë dhënë maksimumin në një kohë krize, kur numri i tyre ka rënë ndjeshëm prej 6 vitesh
“Gjyqtarët janë sforcuar për të balancuar mungesën e kolegëve të tyre, për të bërë më të mirën, pavarësisht se ne nuk ia kemi dalë, sepse ne e dimë që numri i çështjeve që pritet të gjykohen është relativisht shumë i lartë. Të synosh rritjen e numrit të gjykimit të çështjeve trefish nga norma aktuale në fuqi, jo vetëm që nuk është motivuese për gjyqtarët, por nga ata perceptohet si mjet presioni. Shoqëria nuk ka dobi nga gjyqtarë të vënë në presion” shprehet për Zërin e Amerikës, gjyqtarja për median në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Edlira Petri.
Rritje të produktivitetit të gjyqtarëve parashikohet edhe në Gjykatën Administrative të Apelit. Sipas strategjisë një gjyqtar aktualisht shqyrton mesatarisht 225 çështje në vit. Sipas skenarit më optimist çështjet e
prapambetura zerohen në vitin 2030 nëse numri i gjykimit të çështjeve në vit për një gjyqtar rritet me 80%. Edhe në dy gjykatat e tjera, atë të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë dhe atë Administrative të Shkallës së Parë, po në Tiranë parashikohet rritje e produktivitetit të gjyqtarëve, por pa specifikuar në çfarë përmase.
KLGJ i tha Zërit të Amerikës se rritja e normës sasiore për gjyqtarët është hartuar duke patur parasysh situatën problematike në sistemin gjyqësor. Ky institucion nuk duket të shohë ndonjë problem me përballimin e ngarkesës në rritje, madje “në kuadër të vlerësimit etik dhe profesional mund të konsiderohet mekanizëm motivimi për ta”- thotë KLGJ.
Projekti parashikon që, rritja e produktivitetit të gjyqtarëve të shoqërohet me masa të tjera që i vijnë në ndihmë trupës gjyqësore, duke nisur nga plotësimi në vijimësi i vendeve vakante në gjykata, shtimi i stafit jo gjyqësor, trajnimi i tij, inventarizimi dhe kategorizimi i çështjeve të prapambetura, përdorimi i modeleve standarde për vendimet gjyqësore, ndryshime ligjore për uljen dhe parandalimin e çeshtjeve të prapambetura, dhe në sistemin për lëshimin e urdhërave të ekzekutimit apo zhvillim të seancave gjyqësore në distancë.
Pedagogu i administrimit gjyqësor në Shkollën e Magjistraturës, Vangjel Kosta i tha Zërit të Amerikës se mekanizmat ndihmës për gjyqtarët të parashikuar në strategjinë e KLGJ nuk janë bindës.
“Nëse gjyqtarët ndihmohen më shumë me staf ndihmës dhe me teknologji, natyrisht numri i çështjeve që do gjykojë një gjyqtar do jetë më i lartë. Por duhet parë se kur vijnë këto ndihma. Sepse duhet të kuptojmë që mund të flasim për ndihmësa të parashikuar në ligj por nuk kemi ndihmësa në gjykata. Nga kjo pikpamje në strategji unë shoh vetëm shifra mekanike dhe nuk shoh një lidhje logjike përse gjyqtari duhet të gjykojë më shumë. Njoh shumë gjyqtarë, i kam parë të lodhur dhe të dëshpëruar, sepse për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve kanë ngarkuar më shumë se ç’duhet veten”- argumenton Zoti Vangjel Kosta.
Migena Laska, gjyqtare e medias në Gjykatën e Shkallës së Parë, Dhoma Penale, në Tiranë, shprehet se në këtë seksion nuk ka çështje të prapambetura, për shkak të afateve proçeduriale, ndërsa pranon se ngarkesa e viteve të fundit është e paprecedentë. Zonja Laska thotë se në vitin 2023 një gjyqtar gjykoi mesatarisht 800-1000 dosje nga 500, 6 vjet më parë.
“ Produktiviteti i gjyqtarëve patjetër mund të rritet, por në radhë të parë unë mendoj se duhet të shtohet numri i gjyqtarëve. Patjetër duhet të shtohet numri i administratës gjyqësore dhe kualifikimi profesional i kësaj administrate. Janë disa hallka që mbështesin dhe ndihmojnë punën e gjyqtarit. Ne duam zgjidhje, nëse më gjen zgjidhje se si do gjykojmë më shumë, dakort do bëjmë më shumë. Unë vetë kam bërë 1 mijë dosje në vit”- shprehet Migena Laska, gjyqtare e medias në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Tiranë.
Duke folur për mekanizmat ndihmës për gjyqtarët, të parashikuar në strategjinë e KLGj gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Znj. Petri, thekson se produktiviteti i gjyqtarëve parashikohet të rritet në muajin prill, ndërsa ngre dyshime nëse këto mekanizma do mund të jenë gati në të njëjtën kohë.
“Numri i çështjeve mund të arrihet por jo në situatën ku jemi tani, mund të arrihet vetëm nëse masat e tjera fillojnë zbatohen njokohësisht. Nuk ka të dhëna të qarta se kur do të realizohen mekanizmat ndërveprues. Në strategji është parashikuar të ngrihen grupe të caktuara me administratë gjyqësore të cilat do të trajnohen për inventarizimin e çështjeve. Është përcaktuar një afat që është qershori i këtij viti. Duket praktikisht e pamundur, sepse është procesi i rekrutimit dhe trajnimit të tyre dhe më pas invetarizimi i një numri shumë të lartë dosjesh. Nuk duket realiste. Nga ana tjetër janë parashikuar ndryshime në ligj, në kodet e proçedurave. Ne e dimë shumë mirë, që pavarësisht dëshirës që mund të ketë KLGJ, kjo varet nga kuvendi”- argumeton gjyqtarja Edlira Petri.
KLGJ i tha Zërit të Amerikës, se rritja e normës sasiore për gjyqtarët në fazën fillestare shihet si objektiv ambicioz duke shtuar se asnjë proces nuk mund të mbetet peng i një procesi tjetër.
Por në ndryshimet ligjore të propozuara është dhe lehtësimi i procedurave të rekrutimit të ndihmësave ligjorë duke parashikuar të njëjtën procedurë sikurse edhe rekrutimi i nëpunësve të tjerë civilë gjyqësor në gjykata. Një gjë e tillë shmang disa elementë të fortë garancie të parashikuara aktualisht si rekrutimi përmes Shkollës së Magjistraturës, testimin e tyre profesional, ashtu edhe kontrollin e pasurisë që kryhet në këtë rast. Një ndërhyrje e tillë mund të tingëllonte si një hap pas ndaj kritereve rigoroze që parashikon reforma në Drejtësi.
Pedagogu Kosta në shkollën e magjistraturës vlerëson se nisma e KLGJ-së në vetvete është e mirëpritur por ai mendon se:
“ Një gjyqtar i lodhur, një gjyqtar i raskapitur nuk besoj se do japë vendime që krijojnë besueshmëri si vendime të drejta. Dhe produkti i tyre mund të jetë një sjellje e nxituar dhe e paduruar në raport me palët në gjyq. Kjo përkthehet në dëme te besueshmëria në publik pasi gjyqatrët po kalojnë nga një gjykim normal në gjykim të shpejtë për të ulur stokun. Nuk është kjo rruga përmes së cilës ulet numri i çështjeve të prapambetura në gjykata”- shprehet zoti Vangjel Kosta.
Projekt Strategjia e KLGJ për uljen e çështjeve të prapambetura parashikon se mund të arrihet një përmirësim në uljen e stokut rreth vitit 2028 nëse plotësohen disa objektiva. Pas konsultimit në 4 gjykatat me problematikat më të thella, pritet që ky dokument të shoqërohet me sugjerime apo vërejtje edhe nga përfaqësues të trupave gjyqësore para miratimit të tij në KLGJ./VOA