Këshilli i Ministrave po finalizon krijimin e një kompanie publike për shërbimet e sterilizimit, dhjetë vjet pas kontratës koncesionare që i kushtoi taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro dhe u shoqërua me një proces gjyqësor për shpërdorim detyre dhe veprime të grupit të strukturuar kriminal.

Më 30 dhjetor 2025, qeveria vendosi të krijojë “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” (OSHIS) sh.a, një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, e cila do të marrë stafetën e ofrimit të shërbimeve nga kompania koncesionare SaniService, e cila ndodhet nën sekuestro që nga janari i vitit 2024.

Kompania e re do të ofrojë shërbime kundrejt spitaleve universitare, rajonale dhe bashkiake, me një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, të financuar nga fondi i shpenzimeve kapitale i Ministrisë së Shëndetësisë.

Më pas, OSHIS sh.a pritet të mbështetet financiarisht nga të ardhurat e gjeneruara nga vetë shërbimet e sterilizimit.

Kontrata koncesionare e sterilizimit ishte një nga më të kushtueshmet e qeverisë së mëparshme në sektorin e shëndetësisë.

Hetimet e SPAK kanë zbuluan shkelje ligjore gjatë dhënies së koncesionit, duke favorizuar kompaninë e Ilir Rrapajt dhe duke dëmtuar interesat e shtetit.

SPAK ngriti akuza ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zv.ministrit Klodian Rrjepaj, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe gjashtë anëtarëve të tjerë të komisionit të dhënies së koncesionit për shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Shtetëzimi synon të sigurojë ofrimin e shërbimeve të sterilizimit në mënyrë të drejtë dhe të kontrolluar nga shteti, duke mbyllur një kapitull problematik që zgjati mbi një dekadë.