Një agjent i AKU-së dhe një doganor në Durrës janë ndaluar për rastin e 119 kg kokainë që u sekuestruan në një kamion.

Dy agjentët janë ndaluar nën akuzën për shpërdorim detyre dhe mos ndjekjen e procedurave standarte të kontrollit të kontejnerit me banane në të cilën u gjet sasia e lëndës narkotike. Në polici janë shoqëruar nëntë persona që janë marrë në pyetje në lidhje me rastin, por ende nuk ka të arrestuar.

Deri më tani janë marrë në pyetje persona që janë marrë me çdoganimin e mallit, ata që kanë pasur detyrim që të ruanin kontejnerin dhe janë sekuestruar kamerat e portit dhe të rrugës deri në Romanat. Mësohet po ashtu, se në port ngarkesa ka dalë e pastër kur ka kaluar në skaner ndërkohë që në kontejner kishte pasur kokainë.

Kujtojmë se droga brenda pakove me banane të kompanisë Zico Sh A në zonën e Vaqarit në Tiranë është zbuluar pas telefonatës së bërë më 30 dhjetor nga administratori i kompanisë së bananeve, duke vënë në dijeni strukturat e shtetit për këtë linjë trafiku të kokainës.

Ka qenë pronari i kompanisë Trifon Murataj ai i cili ka telefonuar Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Gledis Nano. Kjo telefonatë sipas dosjes me dëshmitë, ka ardhur pasi administratori i kompanisë Marson Murataj ka folur me pronarin duke i treguar si ka ndodhur ngjarja, referuar tregimit të shoferëve të firmës që po transportonin kontejnerin, Hasan Saliaj dhe Gëzim Kalaja.

Shoferi i kamionit, Hasan Salihu, ka treguar përballë hetuesve se më 28 dhjetor kishte shkuar në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane për llogari të firmës “Ziço Sh.a”. Në kthim drejt kryeqytetit, rreth orës 17:30, në vendin e quajtur Romanat, 4 persona që u prezantuan si punonjës policisë, i prenë rrugën dhe ushtruan kontroll në kamionin me banane. Kur u larguan e kërcënuan që mos tregonte asgjë. Salihu ka deklaruar se pas kësaj ka vërejtur kutitë me banane që ishin të çrregullta si dhe gomat e mjetit ishin të rëna, prandaj kërkoi ndihmën e kolegut, Gëzim Kalaja.

Shoferi i kamionit pretendon se ishte shumë i frikësuar dhe nuk njoftoi policinë, por vuri në dijeni menaxherin e firmës, Marson Muratajn, ndërsa kamioni u transportua drejt magazinave në Vaqarr. Ishte menaxheri që njoftoi pronarin e kompanisë që jeton në SHBA, dhe ky i fundit më 29 dhjetor telefonoi drejtorin e përgjithshëm të policisë.Nano ia ka kaluar çështjen drejtorit të policisë kriminale Tonin Vocaj, i cili ka marrë në telefon shoferin e kompanisë për ti sqaruar ngjarjen. Të nesërmen punonjësit e policisë kanë zbarkuar në magazinat e kompanisë në Vaqarr.

Në total në kontejner janë gjetur 119 kg kokainë që ishte ndarë në 100 pako. Pavarësisht se denoncimi u bë nga vetë kompania një ditë më parë, gjykata ka lënë në burg, Hasan Salihun, Gëzim Kalanë dhe Marson Muratajn me akuzën e trafikut të drogës të kryer në bashkëpunim.

Skaneri në Durrës

Kontejeri doli i pastër në Durrës. Gjatë kontrollit me skander nuk u zbulua dot sasia prej 119 kg kokainë që sekuestrua në Vaqarr. Kjo ka sjellë edhe nisjen e hetimeve. Në ditët në vijim pritet që hetimet për këtë rast të kryhen nga prokuroria e posaçme SPAK, ku do të verifikohen veprimet e kontrollorëve dhe zyrtarëve të portit në lidhje me skanimin e kontejnerit.