DURRES, 12 maj 2013- Më 12 maj të 87 viteve të shkuara erdhi në jetë aktori i mirënjohur shqiptar Nikolin Xhoja. I përfshirë nga ethet e fushatës elektorale dhe fundjava me shi, qyteti i Durrësit e kaloi në heshtje përkujtimin e një prej emrave më të mëdhenj të artit skenik. Kjo datëlindje gjithsesi u parapri në muajin mars nga shfaqja e dokumentarit "Aktori që i ngriti monument vetes". Ai u lind në Brindisi të Italisë në vitin 1926 nga një baba italian dhe nënë shqiptare, vajzë nga Durrësi. Kur aktori ishte 6 vjeç zhvendoset me të ëmën në Shqipëri, për të mbetur këtu përgjithnjë.
Që herët bashkohet me lëvizjen nacional-çlirimtare kundër pushtuesve dhe bëhet pjesë e brigadave partizane, duke luftuar edhe për çlirimin e Kosovës. Pas mbarimit të luftës, nis të aktivizohet në grupet amatore si aktor. Me krijimin e trupës së teatrit profesionist në Durrës, krijim që daton më 11 janar të vitit 1953, Nikolin Xhoja bëhet pjesë e saj, duke regjistruar emrin në radhët e themeluesve të teatrit durrsak. I njohur për humorin dhe inteligjencën, kolegët e kujtojnë për improvizimet e bukura në skenë, batutën dhe shpirtin bashkëpunues. Janë të shumtë ata që e kujtojnë për rolin e realizuar të xha Beqos te filmi "Kapedani", apo babait përparimtar për kohën të vajzës te filmi "Çifti i lumtur" etj.
Ndër arritjet e tij më të spikatura kanë qenë roli i Qazim Mulletit në komedinë "Prefekti" (1968) të Besim Levonjës, rolin e Nikollaqit te “Karnavalet e Korçës” etj. Vitet e fundit të jetës së aktorit qenë të hidhura. Rolet e tij janë të skalitura dhe të natyrshme. Në fillim të viteve ’80, Nikolin Xhoja përjetoi një periudhë jo të mirë. E sulmuan dhe kjo ndikoi në jetën dhe karrierën e tij, duke çuar në ndërprerjen e detyruar të marrëdhënieve me artin skenik dhe izolimin e tij. Kjo situatë ndikoi dhe në shëndetin e tij, deri sa e ndau nga jeta në tetor të vitit 1987. Harrimit të detyruar artistik në vitet e fundit të jetës iu kundërvu vepra e tij, rolet që la dhe që vazhdojnë të përcjellin jehonën e tyre dhe te brezat e rinj.
/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





