Ngjarja e rëndë e 10 ditëve më parë, ku gjatë një operacioni në terren mbeti i vdekur një shef komisariati, i ka angazhuar blutë e Durrësit në aksione të njëpasnjëshme që janë finalizuar me ndalimin e personave me prirje kriminale. Në kuadër të përforcimit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe parandalimit të krimeve policia e Durrësit ka vënë në jetë një sërë aksionesh gjatë të cilave kanë rënë në pranga 12 persona.

Brenda 24 orëve në aksione të veçanta në zona të ndryshme të qarkut të Durrësit janë ndaluar 12 persona për armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera penale të parashikuara në nenet e Kodit Penal. Në njoftimin e saj për shtyp Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës thotë: “Pesë persona të arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje; 3 të arrestuar në flagrancë për vjedhje; 1 shtetas i arrestuar për kanosje për shkak të detyrës së punonjësve të Policisë; 2 persona të shpallur në kërkim të kapur të akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentash dhe 1 person i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje”.

Burime policore bëjnë të ditur se kontrolle të ngjashme do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim dhe do të zhvillohen paralelisht nga të tre komisariatet e policisë së qarkut. 

 

Personat e ndaluar

Arben Demiri, 42 vjeç, banues në Fushë Krujë

Sh. Lamçe, 62 vjeç, banues në Tiranë

Qazim Daçi, 61 vjeç, banues në Budull Krujë

Çlirim Hysa, 19 vjeç banues në Kodër Rrushkull Durrës

Gentian Toçi, 19 vjeç, banues në Kodër Rrushkull Durrës

Enver Balla, 50 vjeç, banues në Shënvlash Komuna Rrashbull Durrës

Maksut Behluli, 33 vjeç banues në Manëz

Kurtish Tafhasi, 18 vjeç, banues në Manëz

Xhimi Buna, 34 vjeç, lindur e banues në Durrës

Albert Cani, 24 vjeç, banues në Hamalle Durrës

Idlir Dervishi,  37 vjeç, banues në Katund Sukth Durrës