DURRËS, 12 qershor 2013 – 12 Qershori shënon dy ditë-ngjarje të rëndësishme. Së pari, Ditën e Lirisë për Kosovën dhe së dyti, Ditën Botërore kundër Punës së Fëmijëve.
Në Kosovë sot festohet dhe përkujtohet me nderime Dita e Lirisë, 12 Qershori historik që i dha fund shtypjes, politikës hegjemoniste dhe genocidit ndaj popullit kosovar. Një liri e fituar përmes rezistencës së gjatë të popullsisë ndaj aneksimit të padrejtë, që u finalizua me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e mbështetur fort nga Aleanca Euro-Atlantike. Sulmet ajrore të NATO-s dhe përkrahja e gjerë e vendeve të zhvilluara, kryesisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës çuan në fitoren e forcave të armatosura të Kosovës. Kosovarët sot festojnë dhe përkujtojnë mijëra të rënë, që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në një mesazh urimi, presidentja e Kosovës Ahtife Jahjaga falenderoi udhëheqësit dhe shtetet e botës, që u vunë në mbrojtje të popullit të Kosovës në njërën ndër periudhat më të rënda të historisë së tij, si dhe të gjithë ata burra e gra, pjesëtarë të NATO-s, që u angazhuan në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, duke u bërë simbol lirie e shpëtimi dhe duke ndihmuar pas luftës rindërtimin dhe zhvillimin demokratik të vendit, si dhe sigurinë e Kosovës.
“Republika e Kosovës sot është shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe promotor i fqinjësisë së mirë, me synim të qartë të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Ne po ndërtojmë një shtet të së drejtës, një shtet gjithëpërfshirës dhe ku respektohen vlerat e secilit qytetar. Sot duhet të jemi të bashkuar në rrugën tonë të përbashkët drejt një të ardhmeje më të mirë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”- përfundon urimi i presidentes Jahjaga.
Dita botërore kundër punës së fëmijëve
12 qershori shënon gjithashtu dhe një ditë krejt të veçantë që fton njerëzit në mbarë globin të ndërgjegjësohen për situatën në të cilën jetojnë mjaft fëmijë, që të detyruar nga varfëria e familjeve, braktisja e tyre punojnë për të siguruar të ardhura. Është fjala për punë të rënda të padenja për moshën e tyre të mitur. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e shpalli këtë ditë për herë të parë 11 vjet më parë, si një mënyrë për të nxjerrë në pah gjendjen e këtyre fëmijëve.
Përmes kësaj dite synohet të rritet reagimi global kundër punës së fëmijëve. Në botë mbi 215 milionë djem dhe vajza punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës. Në Shqipëri, sipas Ministrisë së Punës, rreth 315 fëmijë janë evidentuar të përfshirë në format më të këqija të punës, veçanërisht fëmijë që punojnë në rrugë, ekspozohen ndaj rreziqeve të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual. Prandaj 12 qershori fton për angazhim të gjithë shtetet e shoqëritë, veçanërisht autoritetet shtetërore për të ndërhyrë konkretisht dhe marrë masa ndaj këtij shfrytëzimi.
/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





