Kudo në botë të ardhurat tatohen, por ka disa burime të ardhurash për disa kategori që nuk i nënshtrohen tatimit. Në Shqipëri sipas një udhëzuesi të posaçëm të tatimeve, janë 12 zëra të ardhurash që nuk i nënshtrohen tatimeve, si më poshtë:

1-Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndihmat ekonomike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta.

2-Bursat e nxënësve dhe të studentëve.

3-Shpërblimet e marra në raste sëmundjesh, fatkeqësish, në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës në fuqi.

4-Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare ose në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike.

5-Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

6-Të ardhurat e përfituara si rezultat i kompensimit financiar, për ish-pronarët dhe ish-të dënuarit politikë.

7-Kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve.

8-Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.

9-Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë.

10-Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor.

11-Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi të pensionit vullnetar deri në masën e përcaktuar në ligjin për fondet e pensionit vullnetar.

12-Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensioneve, gjatë administrimit nga shoqëria administruese. /Monitor