Një oficer policie është therur me thikë në Parlamentin britanik në qendër të Londrës, teksa rreth 12 persona raportohet se janë plagosur jashtë parlamentit.

Lajmi bëhet i ditur nga “BBC”, e cila citoi  liderin e komuneve, David Lidington, tek thotë se agresori i oficerit në parlament ishte qëlluar nga policia. Ndërsa “Reuters” tha se “12 persona janë plagosur në Urën e Westminsterit” pas të shtënave që u dëgjuan jashtë Parlamentit britanik.

Stafit të parlamentit i është kërkuar të qëndrojë brenda zyrave.

Kryeministrja Britanike Theresa May është parë teksa futej me shpejtësi në një Jaguar të bronztë në kohën që u dëgjuan të shtënat.

Transporti publik i nëndheshëm në Westminster është bllokuar pas urdhrit të policisë.

“CNN” raportoi se Policia e Londrës po e trajton sulmin si terrorist deri sa të provohet e kundërta.