Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një deklaratë për mediat në 12 vjetorin e ngjarjes së rëndë të 21 janarit tha se nuk ishte vdekje aksidentale, por vrasje shtetërore.
“E dinë të gjithë që më 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, po vrasje shtetërore. Por publikimi dje i transkriptit të një audioje ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit të kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë.
Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur më 21 janar. Nuk jam këtu për të bërë politikë sot, në ditën e homazheve që sot do të bëhen me një dritëz të re shprese se drejtësia e re do të hapë menjëherë hetimin e çështjes. Jam këtu për të thënë se ne nuk kemi hequr e nuk do të heqim dorë kurrë nga drejtësia për 21 janarin, por drejtësinë e kërkojmë nga drejtësia. Sot edhe më shumë sepse ato zëra nga shpella e vrasjeve të asaj dite tragjike, flasin vetë edhe më shumë se sa të gjitha fjalët tona”, tha Spiropali.