Për një periudhë tre vjeçare qeveria të shpallë moratoriumin për pezullimin e detyrimeve tatimore për biznesin në Durrës, ashtu sikundër ka ndodhur në vendet fqinje për periudhën pas tërmetit, për rimëkembjen e ekonomisë.

Banka e Shqipërisë të pezullojë kreditë për një vit, shteti t’iu kthejë TVSH-në bizneseve për të pasur likuiditet, janë këto disa prej kërkesave të cilat biznesi durrsak në një mbledhje urgjente, i paraqiti një ditë më parë ministres Anila Denaj.

Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar 120 biznese të mëdha dhe 900 të vogla, të cilat kanë pezulluar aktivitetin pranë organeve tatimore. Në një situatë të tillë, në një mbledhje urgjente, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës ka dalë me propozime konkrete në një paketë të propozuar një ditë më parë Ministrisë së Ekonomisë.

Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, tha se situata post tërmet ka sjellë  dy probleme të mëdha te biznesi në Durrës: Mungesën e fuqisë punëtore, pasi biznesi i madh po punon me kapacitet 50 %, pasi punëtorët nuk po shkojnë ende në punë;  si dhe mungesë të konsumatorit, ç’ka përkthehet mungesë likuiditeti në treg.

Qeveria duhet të ndërmarrë një sërë masash lehtësuese në Durrës, thuhet në paketën që i është propozuar qeverisë nga biznesi në Durrës.

“Duhet verifikim i dëmeve në objektet e biznesit, duhet të certifikohen godinat për të ushtruar aktivitet të sigurt punëmarrësit. Këkrohet një moratorium për pezullimin e detyrimeve fiskale për një periudhë trevjeçare për të gjitha bizneset në Durrës, sipas modeleve të njohura në vendet fqinje. Për rimbursimin e TVSH për bizneset me TVSH, kërkojmë që shteti t’ua kthejë me qëllim rimëkëmbjen. Pezullimin e kredive për një periudhë njëvjecare, evitimi i burokracive dhe disbursimi i fondeve për kompanitë e siguruara në kompanitë e sigurimeve. Situata në biznese shtë shumë e vështirë, dhe nëse nuk ndizet motori i ekonomisë së qytetit, do të kemi pasoja të parikuperueshme.”

K.H.