Faza e parë e regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit është mbyllur me shifra mjaft të kënaqshme.
Përgjatë 7 raundeve 48 orëshe janë regjistruar 1296 studentë në të gjitha programet e studimit në UAMD.
Për rektorin Shkëlqim Fortuzi këto regjistrime janë dëshmi e punës së mirë të bërë nga stafi akademik i universitetit të Durrësit ndër vite, por edhe hapjes së programeve të përbashkëta të studimit mes UAMD-së dhe universiteteve prestigjioze evropiane si ai i “La Sapienza” në Romë dhe ai i Xhenovës që konsiderohen një mundësi e “artë” për studentët për t’u pajisur me diplomat e dyfishta.
Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, një nga shqetësimet kryesore të stafit akademik dhe studentëve që frekuentojnë Kampusin Universitar në Spitallë, është aksi rrugor me infrastrukturë të amortizuar, që të çon në këtë institucion dijesh. Krahas rikonstruksionit të rrugës ekzistuese, Fortuzi bëri të ditur se do të ndërtohet një rrugë alternative, e dedikuar për universitetin dhe që shkurton me 5 km distancën.
Në fund të vitit 2025 pritet të përfundojnë punimet për godinën e re të Fakultetit të Studimeve Profesionale, duke shtuar kështu mjedise të reja me kushte bashkëkohore për studentët.
M.B





