TIRANE, 24 shkurt 2013– Dua vetëm të di cilat kanë qenë fjalët e fundit që ka thënë im bir para se të vdiste". Këto janë fjalët me të cilat nëna e Julian Çunit, i cili u godit për vdekje me thikë para tre muajsh, i drejtohet shoferit të furgonit të linjës Tiranë- Durrës, ku ndodhi edhe vrasja. Sadete Çuni, rrëfen për "Gazetën Shqiptare" se prej kohës që djali i saj ka vdekur, drejtësia shqiptare nuk ka bërë asgjë për kapjen e personave përgjegjës për vdekjen e djalit të saj. 

"Në asnjë vend të botës nuk është parë që të vritet në mes të ditës një 17-vjeçar duke punuar për të nxjerrë bukën e gojës, dhe vrasësit të lëvizin lirshëm". Nëna e Julianit i bën apel shtetit shqiptar që të vërë drejtësi dhe të prangosë vrasësit e djalit të saj. Me lot në sy dhe me zërin që i dridhet, Sadete Çuni kujton ditën që mori lajmin për djalin e saj, duke u shprehur se ajo ka qenë dita më e zezë për të, të cilën nuk do që ta kujtojë për asnjë moment, dhe se vetëm një zemër nëne e di se çfarë ndjen kur humbet fëmijën e saj. Julian Çuni, humbi jetën pasditen e 25 nëntorit, teksa ka qenë duke punuar si faturino në furgonin e linjës Tiranë-Durrës. 

Sa kohë ka kaluar nga dita e vrasjes së djalit tuaj?

(Duke qarë). Sot mbushen 13 javë që nga dita që më vranë Julianin. Nuk mund ta harroj kurrë atë ditë. Vetëm zemra e një nëne mund të më kuptojë…. 
 

Çfarë ju kanë thënë për vrasjen e djalit tuaj?

Asnjë gjë, thjesht heshtje. Nuk kemi komunikuar me forcat e policisë, kemi shkuar që të flasim me ndonjë person që të na japë një zgjidhje, por askush nuk di asgjë. Vrasja e djalit tim është zbardhur, por vrasësit lëvizin akoma të lirë. 
 

Juve keni dashur që të flisni me shoferin e furgonit ku ndodhi vrasja, a keni arritur që të komunikoni me atë?

Pasi kemi folur tek televizioni "News 24", e mori im shoq në telefon dhe i tha se "ne si prindër që jemi, duam të dimë se cilat kanë qenë fjalët e fundit që ka thënë djali im". Ndërsa ai e ka mbyllur telefonin dhe na ka thënë që nuk e njihte djalin tim. 
 

Çfarë kërkoni juve prej tij?

Vrasja e djalit tim do i rëndojë gjithë kohën, gjithë jetën në ndërgjegje. Prandaj ne kërkojmë që ai të thotë të vërtetën, vetëm të dëshmojë atë që di dhe atë që ka parë. Unë si nënë i bëj thirrje që të dëshmojë vetëm të vërtetën. 
 

Cili është apeli juaj për drejtësinë shqiptare?

Është diçka absurde, përballë kamerave të vrasësh një 17-vjeçar në mes të ditës! Të zbardhen emrat dhe të mos kapen, vetëm këtu në Shqipëri mund të ndodhë. Jam shumë e revoltuar! Si ka mundësi që të vritet një 17-vjeçar për bukën e gojës dhe vrasësit të lëvizin të lirë?! Prandaj ne kërkojmë nga shteti vetëm drejtësi, sepse ata i kanë emrat, e dinë se kush e ka bërë, por akoma nuk i kanë kapur.