KORCE, 04 mars 2013- Kam kaluar orë të frikshme. Jam përballur me një dhunë seksuale që nuk ia uroj askujt. U përdhunova barbarisht nga e shtuna deri në orët e para të mëngjesit të së dielës. Tani ndihem keq". 

Kështu ka deklaruar në polici 13-vjeçarja M.Grazhdani, e cila ka akuzuar 26-vjeçarin Nikolin Samara se e ka rrëmbyer dhe e ka përdhunuar për orë të tëra, në një banesë 2- katëshe në fshatin Mborje, në periferi të Korçës. Menjëherë pas denoncimit, blutë e Korçës kanë vënë në pranga autorin, por ai ka mohuar çdo akuzë të ngritur ndaj tij dhe ka deklaruar në polici se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën me dëshirën e saj. Madje sipas 26-vjeçarit, ai me 13-vjeçaren, e cila jetonte me gjyshërit e saj në Korçë, pasi prindërit i kishte emigrantë në Greqi, kanë kryer marrëdhënie edhe herë të tjera në banesën e saj. Sipas policisë, 13-vjeçarja si pasojë e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë, ka dëmtime të shumta në trup, ndërsa pritet rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore. 

DENONCIMI

13-vjeçarja M.Grazhdani ka rrëfyer në praninë e prindërve dhe një psikologu gjithë ngjarjen dhe ka akuzuar 26-vjeçarin Nikolin Samara se e ka përdhunuar për orë të tëra, duke e kërcënuar. "Ishte ora diku 17:00 e pasdites dhe bashkë me një shoqe shkuam të merrnim një shoqe tjetër për dalë. Unë po rrija në rrugë ndërsa shoqja ime shkoi tek pallati afër. Në ato momente kalon Nikolini me makinë, pasi prej kohësh më ngacmonte dhe më ndiqte këmba-këmbës. Ai më tha të hipja në makinë, por unë nuk pranova. Më goditi në fytyrë dhe më pas me forcë më hipi në makinën e tij dhe shkuam në fshatin Mborje. Gjatë gjithë kohës isha e frikësuar dhe doja të bërtisja, por ai më kërcënonte. Kur mbërritëm në Mborje dikush i solli një çelës të banesës dykatëshe ku edhe më çoi dhe kreu marrëdhënie seksuale me dhunë, pa dëshirën time. I kërkova që të ndalonte dhe të më kthente në banesë, por ai kurrsesi nuk e pranonte një gjë të tillë. Bëri seks me mua si nëpër filma dhe nuk pranonte të më çonte në shtëpi edhe pse i përgjërohesha pambarimisht", ka deklaruar për uniformat blu të Korçës, e mitura. 

Ajo ka vijuar rrëfimin e saj në polici, duke thënë se 26-vjeçari ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj deri në orët e para të mëngjesit të së dielës. "Për orë të tëra, Nikoli ka kryer seks me mua. Nuk mundesha të njoftoja askënd, ndërsa më kishte lënduar shumë si psikologjikisht edhe fizikisht. Diku rreth orës katër të mëngjesit, mori një taksi dhe më çoi deri afër shtëpisë. Gjyshërit ishin shqetësuar shumë dhe kishin njoftuar prindërit, të cilët u kthyen nga emigracioni, pasi prej disa kohësh jetonin në Greqi. Ata e kuptuan gjendjen time dhe unë u tregova të vërtetën dhe bashkë me ta bëmë denoncimin për 26-vjeçarin që më shkatërroi jetën", ka treguar 13-vjeçarja. Ajo ka mohuar faktin se ka qënë e lidhur me Nikolin Samarën dhe ka treguar se ai prej kohësh e ngacmonte, por nuk e kishte menduar se do të arrinte deri këtu. 

"Unë jam nxënëse në klasën e shtatë dhe nuk kam pasur kurrë një lidhje dashurie, por 26-vjeçarin e njihja, pasi prej kohësh më ngacmonte, por kurrë nuk kemi pasur lidhje. Ai më ndiqte kudo. Nuk e mendoja në asnjë moment se mund të arrinte deri këtu. Tani jam në gjendje të rënduar. Ai bëri seks me mua pambarimisht përgjatë gjithë natës. Nuk ia uroj askujt këtë që më ndodhi mua", ka mbyllur rrëfimin e saj në polici e mitura. 

AUTORI 

Nga ana tjetër 26-vjeçari Nikolin Samara ka deklaruar në polici se vajza gënjen nga frika e prindërve dhe se kishin një lidhje prej 11 muajsh. "Nuk e kam marrë kurrsesi jashtë dëshirës së saj. Unë dhe M. kishim një lidhje sentimentale prej 11 muajsh dhe shkoja shpesh e merrja me makinë. Nuk ishte hera e parë që kishim kryer marrëdhënie seksuale së bashku, por në të gjitha rastet me dëshirën e saj. Herën e fundit shkova si gjithnjë e mora në telefon dhe ajo doli, ikëm në një shtëpi në Mborje, por edhe këtë herë ajo erdhi vetë dhe me dëshirë. Aty i binte telefoni nga familja, por ajo nuk e hapte, i thosha ta hapte ose t'i merrte me telefonin tim, por nuk pranoi. Nuk e di pse po gënjen dhe po sajon një gjë të tillë. Mendoj se do jetë përplasur me familjen dhe nga frika për t'u shpëtuar atyre ka sajuar këtë gënjeshtër të rrëmbimit dhe përdhunimit. U befasova nga dëshmia e saj, por është e gjitha e rremë. E vërteta do dalë, kam besim tek drejtësia", ka deklaruar Samara.