Viola Gjyzeli, 13-vjeçarja nga Durrësi, do të përfaqësojë pas disa ditësh Shqipërinë në Festivalin Evropian për Fëmijë.

Prej kohësh, ajo i është nënshtruar provave intensive, për të dhënë më të mirën në skenën evropiane.

“Pa diskutim që kam emocione, mezi po e pres. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, me veshjet, me interpretimin, me gjithçka. Do bëjmë më të mirën sigurisht”,– thotë 13-vjeçarja Gjyzeli.

Rrugëtimi i Violës në skenat e festivaleve nisi 6 vite më parë. Mësuesja e saj e kantos Olta Juba flet me superlativa për këngëtaren e vogël.

“Leksionet e kantos i ka marrë në mënyrë të vazhduueshme që në moshën 8-vjeçare. Është një fëmijë me një dhunti teknike dhe vokal jashtëzakonisht të bukur”.

Megjithëse vetëm 13 vjeçe, Viola ka triumfuar në shumë skena brenda dhe jashtë Durrësit.

“Është fituese e disa festivaleve brenda Durrësit, si “Tingujt e Adriatikut”, ku ka triumfuar 3 herë. Është fituese e kupës se Festivalit Folklorik. Është fituese e çmimit të parë dhe kupës së madhe të konkursit “Zërat e rinj”. Është fituese e çmimit absolut të konkursit “Tirana talent”. Është fituese e çmimit të dytë të festivalit ndërkombëtar të fëmijëve në Shkodër dhe festivalit “Junior” në Tiranë, ku konkuronte për të tretin vit dhe universi i bëri gjërat në mënyrën e duhur që Viola të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovision”,- thotë për ‘DurrësLajm” mësuesja e kantos.

Sfida më e afërt e 13-vjeçares është Eurovizioni për Fëmijë, por përveç dëshirës dhe pasionit të saj mbështetja e vetme e Violës është familja dhe jo institucionet e kulturës.  

“Apeli im konkret shkon për të gjitha institucionet kulturore, duke filluar nga ato lokale. Viola ka pasur vetëm mbështetjen e familjes së saj, nuk po flasim vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ana e përkrahjes emocionale. Kur shkojmë në Eurovision ne përfaqësohemi si shtete dhe një shtet është i lidhur drejtpërdrejt me institucionet. Do kisha shumë dëshirë, që nëse Shqipërisë, nëse Durrësit do t’i vijë më rasti të shkojë në Eurovision Junior ta rrihni gjoksin para se këngëtarët të shkojnë, jo pasi të kthehen”,– thotë Juba.

Do jetë data 26 nëntor, kur Viola do të shkelë skenën e Eurovision junior në Nicë të Francës, me këngën “Bota ime” kompozuar dhe shkruar nga Enis Mullaj dhe Eriona Rushiti.

Kjo është hera e dytë radhazi që Durrësi çon në këtë kompeticion ndërkombëtar një këngëtare të vogël. Vitin e kaluar ishte 11-vjeçarja Kejtlin Gjata që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision junior.

M.B.