Mbi 130 delegacione do të marrin pjesë ditën e sotme në funeralin e Papa Françeskut. Mes tyre janë 50 krerë shtetesh dhe 10 sovranë mbretërorë.

Ndër të pranishmit janë personalitete të larta shtetërore dhe fetare nga mbarë bota. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Romë të shtunën në mëngjes, konfirmon zëdhënësi i tij, duke hedhur poshtë spekulimet se ai mund të mos merrte pjesë në ceremoni.

Po ashtu, në Vatikan ndodhet edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump,  ky është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që prej nisjes së mandatit të tij të dytë si president.

Sipas të dhënave të Vatikanit, më shumë se 250,000 njerëz kanë ardhur për të bërë nderimet e tyre ndaj Papës së ndjerë gjatë tre ditëve të qëndrimit të trupit të tij në gjendje publike.

Ceremonia do të jetë më e thjeshtë se ajo e papëve të mëparshëm, në përputhje me udhëzimet e përcaktuara nga vetë Papa Françesku. Gjithashtu, operacioni i rreptë i sigurisë është në lëvizje të plotë, teksa njerëzit mblidhen në sheshin e Shën Pjetrit.