21 nëntor 2015 – Kanë kaluar mbi 5 orë dhe pasagjerët e tragetit Rhapsody të linjës GNV po bëjnë xhiro nëpër det pasi nuk mund të ankorohen dot në portin e Durrësit për shkak të “tekave” të motit.

Megjithëse “Rhapsody” ishte trageti i parë që mbërriti në port, ai nuk është ankoruar ende për shkak të përmasave të tij të mëdha, kur në fakt kjo duhej të kishte ndodhur që në orën 08:00. Ai ka tentuar të ankorohet disa herë, por rrezikon që të përplasë anijet që ndodhen aty pranë, të cilat si pasojë rrezikojnë të mbyten plotësisht.

Duke u nisur nga një situatë e tillë, në pritje të përmirësimit të motit, 131 pasagjerë të lodhur nga një udhëtim i gjatë i nisur që prej mbrëmjes së djeshme nga Bari, nuk dihet dhe për sa orë u duhet të presin që të zbarkojnë. Aktualisht, sipas informacioneve të fundit marrë nga Kapitaneria e Portit (shih foton më poshtë), trageti është larguar nga bregdeti i Durrësit dhe ndodhet në afërsi të Shëngjinit.

Ndërkohë, mësohet që dy tragetet e tjera të mbërritura nga Italia, janë ankoruar që në orën 9:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, pavarësisht vështirësive që patën dhe ato.

Shqetësues është fakti se tashmë në prag të stinës së dimrit, kur kushtet atmosferike në Durrës nuk janë të qëndrueshme, probleme të tilla do i lindin gjithnjë tragetit “Rhapsody”, i cili do të ketë vështirësi për t’u ankoruar në port për shkak të përmasave së tij super të mëdha.

Dhe në fund janë qytetarët ata që rraskapiten dhe presin me padurim që udhëtimi i tyre të mbarojë një orë e më parë.

Specialistët: Në Itali, trageti hyn lirisht

GNV mund të hyjë lirisht në portet italine si në Rimini, Bari e gjithandej, ku janë porte me kapacitet të lartë,  por jo në Durrës, ku infrastruktura nuk është për parametrat e tij, dhe paralelisht lind pyetja: Mbi çfarë bazash është bërë licencimi dhe është dhënë leja e lundrimit që tragete të tilla me këtë kapacitet, të operojnë në linjën Durrës-Bari?

Trageti ka hyrë në këtë linjë në muajin gusht, dhe kjo ishte sprova e parë e tij, në të cilën dështoi.

Të dhënat rreth tragetit Rhapsody:

Ka një kapacitet prej 1 716 udhëtarës, 475 vetura, 118 trajlerë. Trageti “Rhapsody”, i rinovuar tërësisht, ka një kapacitet për 700 automjete dhe 2 448 udhëtarë, 553 kabina, tre bare, restorante, mjedise për argëtim, një vend për mbajtjen e qenve dhe një tjetër për mbajtjen e maceve dhe do të sjellë markën GNV edhe në detin Adriatik, por nuk mund të hyjë në kohë të keqe në portin e Durrësit. 

/portali DurresLajm/