*Historitë e grabitjeve të bankave qysh nga viti 1993, shkon në 14 numri i rasteve
Historia e grabitjeve të bankave në Shqipëri, daton qysh në vitin 1993 në Tiranë. Qeveria e kohës për këtë ka akuzuar të ashtuquajturën “Hakmarrja për Drejtësi”. Më pas shënohen vjedhjet e vitit 1997. Por një nga grabitjet e cila mbahet mend edhe në ditët e sotme është ajo e shënuar në vitin 1998 në Tropojë, në bankën e kursimeve ku u morën rreth 800 milionë lekë.
Më 29 janar 1993 është shënuar vjedhja e parë e bujshme që qeveria e kohës ia faturoi grupit të ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, nga ka marrë dhe emrin dosja, i përket Bankës së Kursimeve Tiranë, në bulevardin “Zogu i Parë”.
Më pas ndodh një tjetër grabitje në Tropojë, më 29 tetor 1998, ku një grup i madh personash të armatosur, grabitën Bankën e Kursimeve. Por këtë radhë grabitja ishte më spektakolare dhe shuma e përfituar më e majme, rreth 800 milionë lekë të vjetra. Kasaforta u tërhoq me një vinç të tonazhit të lartë.
25 mars 2000, janë vjedhur 250 milionë lekë me anë të një çeku të falsifikuar në Bankën e Kursimeve në bulevardin “Zogu i Parë”.
Historiku vazhdon me vjedhjen e realizuar më 23 gusht 2002. Tre persona rreth orës 09:30, vjedhin Bankën Kombëtare Tregtare të Vlorës, me armë në dorë. Milionat e grabitura u përdorën nga autorët për blerjen e një lokali që më pas është kthyer në disko dhe të një hyrjeje pallati.
7 gusht 2003, dy të rinj nga qyteti i Burrelit, pasi arrijnë në Kamzë vendosin të grabisin filialin e “Wester Union”- it që ndodhej në atë zonë. Ata futen brenda ndërtesës të armatosur dhe me maska, dhe arrijnë të marrin nga aty me kërcënimin e armëve një shumë të majme parash dhe largohen nga vendi i ngjarjes.
6 maj 2004, dy persona grabisin 25 mijë euro në një pikë të “Wester Union”, në Rrugën e Kavajës, në kryeqytet. Dy të rinjtë u arrestuan shumë shpejt nga policia, pasi u lajmëruan nga punonjësit, të cilët bënë edhe përshkrimin e autorëve që kishin arritur të kryenin grabitjen.
Më 28 shkurt 2004 është grabitur njësia Nr. 4 e Bankës së Kursimeve. Autorët e saj kanë qenë punonjëset që punonin në këtë filial dhe shuma ka qenë afërsisht 2 miliardë lekë të vjetra. Denoncimet e drejtuesve të bankës kanë bërë që policia të bjerë shumë shpejt në gjurmët e tyre dhe ata të arrestohen.
20 qershor 2008, një i ri me maskë dhe me pistoletë është futur në filialin e bankës së nivelit të dytë dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të vjedhë 300 mijë lekë të reja. Ngjarja ka ndodhur në filialin pranë sheshit “Rilindja” në Tiranë. Kamerat e sigurisë së bankës e kanë “tradhtuar” dhe më pas është bërë arrestimi i tij.
1 gusht 2008, tre persona të armatosur e me maska kanë grabitur filialin e një tjetër banke në Tiranë. Ngjarja ndodhi në autostradë, kur persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen në kërcënimin e armëve, rreth 30 mijë euro. Brenda pak ditësh policia ka arritur të arrestojë të tre autorët.
Më 22 nëntor 2008 një filial i një tjetër banke në Tiranë është grabitur me armë dhe maska, afër zonës së Unazës tek rruga "Bardhyl". Një person i maskuar dhe me një pistoletë në brez është futur duke kërcënuar rojet e bankës dhe është drejtuar tek sporteli, duke kërkuar paratë. Pasi ka marrë të gjitha paratë që ndodheshin në sportel në ato momente, të paktën 500 mijë lekë të rinj, i riu është larguar dhe është futur me shpejtësi nëpër rrugica për të humbur gjurmët.
Dy grabitjet surprizë në aksin rrugor Tiranë-Rinas
3 dhjetor 2015, një automjet i një shoqërie private teksa transportonte një shumë parash të një banke në drejtim të Rinasit, ka rënë pre e grabitjes në afërsi të Laknasit. Shuma e grabitur atë kohë ka qenë rreth 3 milionë euro, të cilat do të transferoheshin jashtë Shqipërisë. Autorët u kanë bërë pritë automjeteve të shoqërisë private, ndërsa nën kërcënimin e armëve kanë mundur të marrin edhe shumën e parave. Autorët e kësaj grabitjeje ende nuk janë mundur të identifikohen dhe të bien në prangat e Policisë.
Më 13 shkurt 2015, maskat kanë mundur të marrin nga duart e punonjësve të sigurisë rreth 100 milionë lekë teksa i transportonin në ambientet e brendshme të një banke. Në pranga përfunduan gjashtë rojet private, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Autorët e kësaj grabitjeje ende sot e kësaj dite nuk kanë përfunduar në pranga.
3 korrik 2015, në Durrës është grabitur nga dy persona një bankë e nivelit të dytë. Nën kërcënimin e armës, grabitësit morën rreth 38 milionë lekë të vjetra. Vetëm pak ditë pas ngjarjes, Policia e Durrësit ka mundur të vërë në pranga dy autorët e grabitjes.
Supergrabitja e 713 milionë lekëve në BSH
Në muajin korrik 2014 është shënuar grabitja e superbujshme në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, aty ku arritën të merreshin rreth 713 milionë lekë. Për këtë ngjarje përfunduan në pranga rreth 10 persona bashkë me ish-guvernatorin e BSH, Ardian Fullani. Ndërsa grabitjen e parave e mori përsipër punonjësi i bankës, Ardian Bitraj, i cili gjatë kohës kur janë kryer hetimet ka treguar se paratë që i ka marrë në Thesarin e Shtetit i ka harxhuar të gjitha në bixhoz. Bitraj tashmë ka marrë edhe dënimin e tij nga Gjykata e Tiranës, një dënim prej 13 vitesh e katër muaj burg. Për këtë çështje vazhdon ende gjykimi për ish-kryeinspektoren e BSH-së, Elivar Golemi, e cila nuk ka pranuar asnjë akuzë të ngritur nga Prokuroria e Tiranës. Për këtë çështje është dënuar me 10 vite burg edhe Mimoza Bruzia, ish-punonjëse në BSH. Ndërsa Ardian Fullani mundi të fitojë pafajësinë.
Shekulli





