14 vende anëtare të Bashkimit Evropian si dhe 2 vende të tjera joanëtare u solidarizuan menjëherë për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti i 21 shtatorit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, ndihmat u dorëzuan në prani të ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve kontribuese.
Ministrja Xhaçka falënderoi vendet kontribuuese për ndihmën në këtë moment të vështirë dhe siguroi qytetarët e prekur për rindërtimin e banesave të tyre.
"I falënderova ambasadorët e njëherësh i sigurova se, të gjitha godinat e shembura do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile, por edhe nga fondi i solidaritetit që tashmë është ngritur. E nëse rindërtimi është sfida afatshkurtër, sfida më e madhe që kemi përpara është marrja e të gjithë masave për të qenë të përgatitur për situatat e ngjarjet që mund të vijnë si pasojë e fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile", thotë Xhaçka.
Ndihmat e ardhura nga vendet anëtare të BE si Austria, Bullgaria, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Hollanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Mbretëria e Bashkuar, Sllovakia, Sllovenia si dhe vendet joanëtare Mali i Zi dhe Norvegjia, përbëhen kryesisht nga pajisje e mjete për strehim të shpejtë dhe të përkohshëm, si dhe ekspertizë përmes specialistëve europianë të Emergjencave Civile.





