Pavarësisht se një nga nxënësit e shkollës “Kushtrimi i lirisë” në Durrës është prekur nga meningiti gjatë fundjvavës, procesi mësimor ka vijuar normalisht, ditën e hënë dhe të martën.
Në shkollën 9-vjeçare “Eftali Koçi” zhvillojnë procesin mësimor gjatë paradites nxënësit e kësaj shkolle, ndërsa gjatë pasdites godina shërben si shkollë pritëse për nxënësit e “Kushtrimi i lirisë”, që është në proces rikonstruksioni.
Pak kohë më parë, kur një gjimnaziste e shkollës “Leonik Tomeo” u diagnostikua me meningit dhe fatkeqësisht humbi jetën, godina arsimore u dezinfektua, gjë që nuk ka ndodhur me shkollën “Eftali Koçi” as të hënën dhe as të martën.
Burime nga ZVA Durrës konfirmojnë për “DurrësLajm” se nuk kanë pasur asnjë informacion nga Drejtoria e Shëndetit Publik lidhur me rastin në fjalë.
Të njëjtat burime konfirmojnë se procesi mësimor ka vijuar normalisht në shkollë, ndërkohë që prindërit ndihen të shqetësuar pasi informacioni që kanë marrë gjatë këtyre ditëve ka qenë mjaft i cunguar.
Një prej prindërve ka kontaktuar me redaksinë e “DurrësLajm” duke vënë në dispozicion komunikimin që kanë pasur me mësuesin kujdestar, i cili ka përcjellë në grupin e prindërve instruksionet e dhëna nga Drejtoria e Shëndetit Publik.


Deri më tani, kjo ka qenë masa e vetme profilaktike që u është rekomanduar prindërve.
Mësohet se 14-vjeçari nuk ka shkuar në shkollë që nga dita e premte, ndërsa pasi është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal Durrës, është shoqëruar më pas me urgjencë drejt Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës.
Ndërkohë, javën e kaluar një tjetër ngjarje tronditëse u regjistrua, kur një 12-vjeçare nga Sukthi humbi jetën në spitalin e Durrësit për shkak të hemorragjisë cerebrale.
Mjekët bënë me dije se pavarësisht ndërhyrjes, hemorragjia vazhdoi dhe për pasojë ka sjellë dhe humbjen e jetës së 12-vjeçares, e cila ishte shoqëruar në spital nga dy gjyshërit.
M.B.