Një 14-vjeçare me origjinë shqiptare, e identifikuar si Adrijana Mina, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi të premten në mëngjes në Waterbury.
Mina ishte një prej katër adoleshentëve që ndodheshin në një “Hyundai Sonata” të vjedhur kur u përplas me një “Ford Escape”.
Mina ka dalë jashtë mjetit dhe pavarësisht se u dërgua në spital, plagët ishin shumë të rënda dhe humbi jetën. Policia thotë se makina ku udhëtonin adoleshentët kaloi rrugën me të kuqe dhe në kryqëzim u përplas me Ford-in.
Dy 15-vjeçarë të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë si pasojë e kësaj ngjarje. Një vajzë 15-vjeçare mori lëndime më të lehta dhe u lirua nga spitali të premten.

Shoferi i Fordit ka dalë po ashtu nga spitali. Të gjithë adoleshentët ishin nxënës të shkollës në Waterbury. Mina la pas babain e saj, Gabiel A. Mina dhe nënën Albulena Rizvani. Në SHBA, ajo kishte edhe gjyshërit.
Ceremonia mortore për 14-vjeçaren do të zhvillohet të martën në qendrën Shqiptaro-Amerikane Kulturore dhe Islamike në Waterbury. Siç raportojnë mediat amerikane, varrimi do të kryhet sipas traditave shqiptare në Varrezat Myslimane Shqiptare në Waterbury.





