Tiranë, 4 korrik 2014 – Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin ndaj një 29-vjeçari që akuzohej për tentativën e vrasjes së një shoku të tij, pas pretendimeve se bashkëshortja e këtij të fundit e ngacmonte prej vitesh me telefonata dhe mesazhe. 

29-vjeçari, Shefki. E, u akuzua në janar të këtij viti për vrasjen të mbetur në tentativë ndaj shtetasit S.B. Ndërkohë në muajin prill ai u dërgua si i pandehur në gjykatë, dhe në qershor u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me 22 vjet heqje lirie. Ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht duhet të vuajë 14 vjet e 8 muaj burg. Këto ditë gjykata zbardhi vendimin e saj, ku dha dhe detajet e historisë. 

Detajet e ngjarjes 

Gjykata zbardhi dëshminë e të pandehurit në kohën kur ai ishte marrë në pyetje gjatë hetimeve:

 “Ka rreth tre vjet që shqetësohet në telefon nga shtetasja F. B., bashkëshortja e të dëmtuarit S. B. Sipas tij, ka ndërruar disa herë numrin e telefonit, por ajo nëpërmjet njerëzve ia ka gjetur përsëri duke i dërguar SMS dhe telefonata në orare të ndryshme dhe duke i shkaktuar bezdisje të vazhdueshme. I pandehuri deklaron se kur e merrnin fillimisht në telefon, komunikonte me këtë shtetase pa e ditur se ajo ishte bashkëshortja e S. B. 

Në vijim ajo i ka treguar se kush ishte, dhe në këto momente i ka kërkuar që të mos e bezdiste më në telefon, pasi shtetasin S. e kishte shok. Ndër të tjera, i pandehuri deklaron se është ndier shumë i bezdisur nga kjo shtetase, sa edhe gruaja e tij shpeshherë shqetësohej pasi kjo shtetase e merrte në telefon edhe natën dhe detyrohej të fikte telefonin. Sipas tij, i kishte kërkuar disa herë F. B. që të mos e bezdiste, por ajo ka këmbëngulur se i pëlqente. Më pas, para 6 muajsh, i pandehuri deklaron se i ka thënë shtetasit S. B. që gruaja e tij e shqetësonte në telefon, por ky i fundit ka gjetur justifikime të ndryshme duke i thënë që nuk kishte mundësi kjo gjë. 

I pandehuri i ka treguar numrin e saj dhe mesazhet, dhe ai i ka thënë që do ishte ndonjë person tjetër që kishte përdorur numrin e bashkëshortes. Në lidhje me këto shqetësime ka pasur dijeni edhe nëna e të pandehurit, e cila ka komunikuar me shtetasen F. B. duke i kërkuar që të mos e shqetësonte më të pandehurin Shefki E.”, thuhej në vendim.