DURRES, 18 mars 2013– Rreth 140 ndërtime pa leje të ngritura mbi kolektorin në zonën e plazhit dhe atë të Porto Romanos janë shkaktarët e përmbytjes së këtyre dy lagjeve periferike të Durrësit.

Në ditët me reshje, zonat turistike e plazhit dhe ajo e Porto Romanos janë dy lagjet më problematike përsa i përket përmbytjes së rrugëve, banesave dhe bizneseve private.

Ditën e enjte, kur u shënuan dhe reshjet me intensitet më të lartë të këtij viti, prefekti i qarkut të Durrësit Genc Alizoti kritikoi kreun e Bashkisë së qytetit, Vangjush Dako, si një prej shkaktarëve të përmbytjeve të qytetit.

Sipas Alizotit ekzistenca e 140 ndërtimeve pa leje mbi kolektorë është shkaku kryesor i përmbytjeve në lagje të ndryshme të qytetit. “Bashkia megjithëse pati premtuar se do t’i shembte me Inspektoriatin e Ndërtimit ende nuk ka ndërhyrë duke u bërë shkaktare e përmbytjes së qytetit”,- tha Alizoti.

Megjithëse këto ndërtime pa leje nuk janë legalizuar, autoritetet nuk kanë ndërhyrë për shëmbjen e tyre. Vite më parë, kur ALUIZNI mori në shqyrtim dosjet për rreth 140 ndërtime të ngritura mbi kolektorë, u vendos që asnjë nga pronarët e këtyre shtepive dhe bizneseve nuk do të përfitonte leje legalizimi, pasi vetëm shembja e tyre do t’i mundësonte autoriteteve ndërhyrjen me mjetet e rënda në kanalin e ujërave të larta për pastrimin e këtij të fundit.  

Ende sot Durrësi vazhdon të përmbytet me vetëm disa mm reshje dhe rrugët jo vetëm në zonat periferike, por edhe në lagjet kryesore të qytetit të sjellin ndërmend Venecian.

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/

.