Harta e lëkundjeve të tokës, datë 15 maj 2013, në Durrës; me ngjyrë të kuqe shënohet tërmeti në det dhe me blu tërmetet në tokë(Burimi: Departamenti i Sizmologjisë)

DURRËS, 16 maj 2013– Nuk mjaftuan tri lëkundjet e tërmetit në zonën Durrës-Tiranë në harkun e 64 minutave të pasdites nga ora 16:54 deri në ora 17,58 minuta të datës 15 maj 2013.

Dy orë më vonë, 19:11:43, në të njëjtën zonë, 12 km në veri të qytetit bregdetar afër Hamallajt e pranë detit (koordinatat 41.42° N, 19.53° E), u ndien sërish goditje M=3.5, por në thellësi të madhe, 13 km, raporton Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (Universiteti Politeknik i Tiranës).

Si për të mos lënë Durrësin “vetëm”, ora 20:28:51, në Labëri, 13 km në perëndim të Tepelenës (koordinatat 40.26° N, 19.84° E), u ndien lëkundje të lehta të tokës (M=2.3), në thellësi 5 km.

Dhe, si për t’i vënë kapak, ora: 22:14:18, tërmeti i lehtë (M=2.6) u zhvendos në det (koordinatat 41.27° N, 19.44° E), por në thellësi prej 11 km.

Problemi është se Durrësi është i ekspozuar dyfish ndaj tërmeteve, sidomos atyre në det, pasi mund të ngrenë dallgë të mëdha të tipit cunami, që qyteti i ladhtë i ka provuar në lashtësi.

Madje, një nga ish-drejtuesit e portit detar, Bajram Thërmia, tregon se në verën e vitit 1975 ra një tërmet, rreth 10 milje nga porti, i cili shkaktoi një cunam të fuqishëm, që krijoi dallgë të mëdha; në port ndodheshin 13 anije dhe 13 në radë. U morën masa dhe u shpëtuan anijet me grurë, sheqer, kafe; askush nuk besonte se si është e mundur të ketë dallgë në verë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

(vijon)