Lazarat, 21 qershor 2014 – Së paku 15 mercenarë, persona të paguar, kanë luftuar me Policinë e Shtetit në Lazarat. Burime nga forcat speciale të pranishme në fshat thanë se ky kontingjent personash ishte stacionuar në një kapanon të improvizuar dhe qëllonte pa mbarim në drejtim të forcave të rendit që ishin stacionuar në faqen e malit të Sopotit, rreth 100 metra në vijë ajrore, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Grupi i luftëtarëve ishte pajisur edhe me prozhektorë të fortë të cilët bënin të mundur ndriçimin natën. Personat me pagesë ishin pajtuar nga “bosët” e Lazaratit për të mbrojtur fshatin në të cilën zhvillohej biznesi dhjetëra milionë euro. 

Në ambientet e brendshme të kapanonit të improvizuar të mercenarëve shihen qartë gjurmët e “rezistencës” dhe shumë krevate marinari, dykatëshe, ku flinin personat që tashmë janë në arrati. Ky grup i ka bërë mjaft rezistencë policisë, sepse ishte i pajisur me armatim të rëndë dhe kishte në përbërje qitës me eksperiencë. Ndërkohë, brenda në fshat janë shumë të dukshme gjurmët e “betejës” trafikantë-polici.