Një minoren 15-vjeçar, nxënës i një shkolle 9-vjeçare në Tiranë, është kallëzuar për “ngacmim seksual” nga një prej vajzave të klasës së tij.

Nxënësja 14-vjeçare ka pretenduar se për dy vite me radhë shoku i saj i klasës e prekte në vende intime, i zbulonte pjesë të trupit, e tallte, i jepte letra me vizatime pornografike në klasë, si dhe e kërcënonte për t’i marrë qindarkat që ajo kishte me vete.

Minoreni B. D. është dënuar pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet heqje lirie. Ai përfitoi uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, por përfundimisht gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të tij me burg. Ai do të qëndrojë në liri me kusht për 18 muaj, kohë gjatë së cilës duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, shkruan “Panorama”.

Kallëzimi penal ndaj minorenit është depozituar në janar të këtij viti. 14-vjeçarja ka pretenduar se prej dy vitesh, shoku i klasës e shqetësonte me sjellje të padenja, të cilat i kishin shkaktuar asaj frikë dhe pasiguri. Përveçse e ka tallur, e ka prekur në vende intime, si në gjoks e vithe, si edhe i ka ngritur bluzën duke i zbuluar pjesë të barkut.

Po ashtu, minorenia është shprehur se i pandehuri i shkruante letra të ndryshme, si edhe vizatime pornografike. Në disa raste, 15-vjeçari ka shfaqur edhe sjellje agresive ndaj saj, si edhe e ka detyruar që t’i japë paratë që kishte me vete, si 30-40 lekë.

I pandehuri B. D. gjatë marrjes në pyetje i ka pranuar këto akuza dhe është shprehur i penduar.