Mbrëmjen e së enjtes u finalizua në Durrës 15-vjetori i eventit unikal “Miss & Mister Turizmi”. Ashtu siç tha dhe Producentja, zonja e suksesshme Myzejen Konduri, ky projekt nuk mbeti iluzion me gjithë pengesat që pati, por bashkë me stafin profesional e konkurentët e mrekullueshëm, vendosën vetë fatin e kësaj gare bukurie që nuk la në harresë trashëgiminë kultutore.

Edhe këtë vit, juria e përbërë nga personalitete si znj. Valbona Sako, kryetarja e re e bashkisë së Durrësit, Artemis Dralo zv.ministre e Jashtme, përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Lediana Bardhi, Eltion Rramilli, drejtori i universitetit “INITO” në Qipro që dhuroi 6 bursa për fituesit e këtij eventi; administratorja e “2 Kitarrat Boutique Hotel & Spa” Nina Beqiraj; kryetari i shoqatës së Hotelerisë e Turizmit Eduart Xhepa etj.; nuk e pati të lehtë të zgjidhte midis konkurentëve, të cilët të gjithë kishin ardhur të preknin suksesin.

Për herë të parë, të 6 fituesve iu mundësua bursë nga universiteti “INITO” në Qipro. Mes 34 konkurentëve, më të bukurit u shpallën:

1. Miss Turizmi – Franceska Rustemi, 16 vjeçe, nga Durrësi

2. Mister Turizmi – Albi Papa, 18 vjeç, nga Tirana

3. Miss Plazhi – Olivia Golja, 17 vjeç, nga Shijaku

4. Mister Plazhi – Emilian Hasa, 18 vjeç nga Dibra

5. Sirena e Detit – Dajana Ponari, 17 vjeç, nga Durrësi

6. Princi i Kaltër – Orges Duka, 18 vjeç, nga Durrësi

LUGA E ARGJENDË...iu dha për herë të parë në votë, Orges Dukës.

Çmimin e parë të Miss Turizmit e dorëzoi Valbona Sako.

Vajzat e bukura, elegante e të mençura dhe djemtë e hijshëm me ndjesinë e burrërimit, shpalosën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” konstelacionin e magjishëm të yjeve të bukurisë.

Prezantuesja Xheni Konduri, shkëlqeu edhe këtë radhë në drejtimin e programit. Ndërsa mjeshtri i koreografisë në kërcim e sfilata, Arian Plaku, e bëri më të dukshme magjinë e bukurisë në sfilatën e konkurentëve.

Në skenën e teatrit u ngjitën edhe disa nga artisët më të preferuar të kohës, si: Olta Boka, Erik Lloshi etj. që ndezën sallën me këngët e interpretimet e tyre.

Ky event, tashmë i patentuar prej vitesh, nuk do të rrugëtonte gjatë e s’do të arrinte këtë sukses pa pasionin, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e Producentes Myzejen Konduri.

S.L.