Kukës, 16 prill 2014 – Në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, ku nën dhunën dhe represionin serb u deportuan në Shqipëri mijëra kosovarë, të dy qeveritë organizuan sot një sërë aktivitetesh në qytetin e Kukësit.
Në sheshin qendror të qytetit verior, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kishte shtruar për homologun nga Prishtina Hashim Thaçi tapetin e kuq të ceremonive zyrtare. Në përfundim të ceremonisë zyrtare u zhvillua konferenca “Nga eksodi te partneriteti strategjik”, e cila u hap me shfaqjen e një mini-dokumentari, me temë luftën e Kosovës, dramat që prodhoi, ndër to dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre.
Në 15 vjetorin e eksodit të 1999-ës, Kryeministri Rama falënderoi aleatët dhe presidentët amerikanë për mbështetjen nga lufta deri te pavarësia e Kosovës. Mirënjohje shprehu edhe për paraardhësin e tij Berisha, me bindjen se Kosova është ajo që bashkon shqiptarët.
“Në këtë ditë ku ne shqiptarët mund t’i themi vetes, ne ndahemi për gjithçka për çështje politike, por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës por që sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve. Kosova ka vlejtur edhe për këtë si burime një fryme që ka arritur t’i unifikojë shqiptarët e Shqipërisë edhe atëherë kur kanë qenë të paunifikueshëm. Sa më të fortë të jenë shqiptarët kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi ynë dhe aq më fort ne mund të mbështesim njëri- tjetrin për të mbrojtur të drejtat jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në Preshevë Maqedoni e kudo.”,-deklaroi Rama.
Për Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, përkujtimi i 15-vjetorit të eksodit nuk kërkon të nxisë urrejtjen por të kujtojë një luftë të drejtë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu mirënjohje për homologun Edi Rama dhe autoritetet shqiptare që mundësuan përkujtimin në Kukës të 15-vjetorit të eksodit kosovar.
“Politikat gjenocidale ndaj popullit tonë ishin krime kundër mbarë njerëzimit. Kjo është arsyeja pse e gjithë bota na ka mbështetur. Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë me bindje se lufta jonë ishte e drejtë dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë. Sot i jam mirënjohës kryeministrit Rama që ka bërë të mundur që kjo ditë të përkujtohet ashtu siç e meriton”,– deklaroi Thaçi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





