Gjatë një takimi me qytetarët në Lezhë, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh sot se 150 anëtarë të rinj i shtohen forcës politike që drejton. Në fjalën e tij Basha tha se basti i Ramës për të shkurajuar shqiptarët humbi më 16 shkurt, ditën e nisjes së lëvizjes demokratike popullore, për t’i dhënë fund asgjësimit të sovranit me parlament, drejtësi dhe ekonomi falso.
“Radhët e degës së PD shtohen me plot 150 anëtarë të rinj. Ngjarje e shënuar për demokratët e Lezhës, për degën tuaj por edhe për mua si kryetar i PD-së dhe opozitës. Jo thjesht për momentin që ilustron shtimi i radhëve, aq më shumë me rininë, por është tjetër dëshmi e shpresës e bashkimit të shqiptarëve me PD, rreth PD. Po rikthejmë shpresën e besimin e çdo qytetari shqiptar, kurajën për të qëndruar e për të fituar për të ardhmen.
Beteja kryesore e Ramës dhe klikës së tij në pushtet, ndërsa shtrëngon lakun në fytin e cdo shqiptari, kapi parlamentin e zgjedhjet, paralizoi prokurorinë për të mbyllur dosjet e korrupsionit, furitë e propagandës më të shfrenuar dëgjohen nga mëngjesi në darkë se Shqipëria nuk ka asnjë problem, madje edhe shqiptarët e ngritur në protestë janë ftesë për turistët. E kuptoni deri ku shkon çoroditja. I ka ik truri komplet. Pse? Sepse nuk po i funksionon më instrumenti kryesor më të cilën ka marrë pushtetin, shkurajimi i njerëzeve, t’i heqë shpresën, të thotë se nuk ka më mirë se ky sharlatan, të ofrojë një spektakël bajat në mediat e blera. Basti i tij ka qenë frikësimi i njerëzve, kush del mbron të drejtat e tyre, janë shpellarë, studentët në protestë janë ngelës, sipërmarrësit janë njerëz që nuk meritojnë të dëgjohen. Shkurajimi i shqiptarëve ka qenë formula mbi të cilin është ndërtuar bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin. Por basti i Ramës për të shkurajuar shqiptarët, humbi. Plot 11 javë më parë, më 16 shkurt ditën e nisjes së lëvizjes demokratike popullore”, u shpreh Basha.





