150 pako me ushqime dhe detergjentë janë shpërndarë ditën e sotme për komunitetin rom në Nishtulla, Durrës.
150 familje në gjendje mjaft të vështirë ekonomike, për shkak edhe të mbetjes pa punë prej masave shtrënguese si masë parandaluese për përhapjen e Covid-19, kanë marrë pako të mundësuara nga bashkia Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me PNUD dhe shoqatën “Nehemia”.
Pakot me ushqime dhe detergjentë kanë mbërritur në shtëpitë e këtij komuniteti, që konsiderohet si një nga shtresat më vulnerabël të shoqërisë.
Bllokimi i lëvizjes prej masave kufizuese ka penalizuar së tepërmi komunitetin rom, pasi shumica e familjeve mbijetojnë me paratë e fituara nga mbledhja e kanaçeve dhe materialeve të tjera të riciklueshme.
Disa herë ata kanë zhvilluar protesta duke ngritur shqetësimin se izolimi, tashmë 6-javor, u rrezikon mbijetesën.





