ROME – Janë dënuar me 16 deri në 20 vjet burg tetë shqiptarë, të akuzuar për përdhunimin, torturimin dhe ndërprerjen e shtatzënisë së disa prostitutave. Gjykata e Asisit ka dhënë dënimin për shqiptarët bazuar në pretencën e kërkuar nga prokurorja Eleonora Tortora.

Ndërkohë prej kohësh policia italiane i ka shpallur në kërkim 8 shqiptarët, pasi ende nuk dihen rezidencat e tyre të tanishme. Gjykata ka dënuar me 20 vjet burg Gëzim Gaxhjan, 18 vjet për Nderim Salliu, dhe nga 16 vjet burg për Gëzim Bullari, Marko Kosta, Adrian Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu e Adriatik Suli.

Këta shtetas shqiptarë se bashku me të tjerë bashkëkombas të tyre si dhe shtetas italianë, gjyqet e të cilëve janë mbyllur më parë, akuzohen për kryerjen e veprave penale të shfrytëzimit të prostitucionit, përfshirë atë të të miturve, të mbajtjes në skllavëri, të sekuestrimit të personit, të favorizimit të emigracionit klandestin dhe të dhunës seksuale.

Episodet për të cilat ata janë dënuar sot kanë ndodhur në vitet 1997-2002 në Latina, Sezze, Perugia, Frosinone dhe Sparanise. Sipas akuzës, disa vajza, të gjitha të reja në moshë dhe me kombësi shqiptare, maqedonase, moldave dhe rumune, janë torturuar pa mëshirë, janë përdhunuar dhe janë detyruar të dështojnë me ndihmën e një gjinekologu të Latinës.

Gjykatësit për krimet e rënda të Latinës ka pranuar shumë nga akuzat e prokurores Eleonora Tortora dhe ka dënuar të tetë shqiptarët – Nderim Salliu, Gëzim Gaxhja, Gëzim Bullari, Marko Kosta, Adrian Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu e Adriatik Suli – në mungesë.