Nga Dr. Bledar Kurti
E njohur si Boston Tea Party, (16 dhjetor 1773), ishte revolta gjatë së cilis 342 arkë çaji që i përkisnin Kompanisë Britanike të Indisë Lindore u hodhën nga anijet në portin e Bostonit nga patriotë të kolonive amerikane të maskuar si indianë Mohawk. Amerikanët po protestonin mbi taksën e çajit e imponuar nga Londra, e cila dëmtonte tregtarët vendas duke u dhënë monopolin Kompanisë së Indisë Lindore, kompani britanike.
Në këtë periudhë, Britania kishte 13 koloni në kontinentin amerikan. Edhe pse 6 mijë milje larg Londrës, dhe pothuajse e gjithë popullata nuk kish shkelur kurrë në Angli, ata paguanin taksat njësoj si anglezët. Kjo nxiti kolonitē të ngrinin shqetësimin se nuk mund të kishte taksim pa përfaqësim. Domethënë, kolonitë nuk kishin asnjë deputet në Parlamentin e Londrës që mund të ngrinte zërin për ata e të mbronte interesat e tyre te qeveria britanike.
Revolta e çajit në Boston shkaktoi përplasje të vazhdueshme të dhunshme nga ana e britanikëve, kësisoj duke ndezur flakën e rrugës drejt pavarësisë.
Një figurë e rëndësishme e kohës, që pati influencën më të madhe në themelimin e një fryme të re revolucionare në shoqërinë e kolonive amerikane të vitit 1776, ishte Thomas Paine. Në këtë vit, Thomas Paine shkruajti një libër me titullin “Logjika” (Common Sense) duke u bërë libri më i njohur në kolonitë amerikane. Impakti i këtij libri ishte se bënte publike një argument të guximshëm: kolonitë duhet të kërkonin pavarësi. Gjuha ishte e lehtë për t’u kuptuar nga kushdo. Përveç se denoncoi të drejtën hyjnore të sundimit të mbretit të Anglisë mbi kolonitë amerikane ai shtroi edhe avantazhet praktike të pavarësisë prej Anglisë duke theksuar rëndësinë e ekonomisë.
Paine nisi të shpaloste idetë e tij radikale të cilat çuan në shpalljen e tij si non grata nga Filadelfia, kryeqyteti i Amerikës në atë kohë. Në vitin 1796, Paine botoi një letër kritike të hapur për Xhorxh Uashingtonin, të cilin e denoncoi si një gjeneral të paaftë dhe hipokrit. Kur vdiq në vitin 1809, vetëm 6 veta morrën pjesë në varrimin e tij.
Megjithatë, ai kish shërbyer në shpalosjen publike të idesë së pavarësisë së 13 kolonive nga Britania e Madhe. Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental shpalli Deklaratën e Pavarësisë, në vetvete një dokument mjeshtëror filozofik, politik dhe social.
Deklarata, me autor Thomas Jefferson, nis kështu:
“Kur në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore, bëhet e nevojshme për një popull të zgjidhë lidhjet politike që ka patur me një popull tjetër, dhe të marë nën pushtetit e vet, qëndrimin ndarës dhe të barabartë që Ligjet e Natyrës dhe Natyra e Perëndisë ua kanë dhënë, një respekt të thellë për opinionet e njerëzimit, duke i kërkuar atyre të shpallin shkaqet që i detyrojnë të ndahen. Ne besojmë se këto të vërteta janë të vetëshpallura, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, që janë pajisur nga Krijuesi me disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat Jeta, Liria dhe përpjekja për të arritur Lumturinë.”
Inspiruar nga John Locke dhe Thomas Paine, Jefferson përfshiu dhe promovoi në këtë dokument “të drejtën natyrale” dhe se është e “vetëshpallur” ose e natyrshme se “njerëzit janë të krijuar të barabartë.” Në listimin e tre të drejtave të përmendura, Jeta, Liria dhe përpjekja për të arritur Lumturinë, kjo e fundit u duk se ishte më e vështira për t’u kuptuar. Kur hartoi Deklaratën, Jefferson si fillim shkruajti “e drejta e pronës” por më pas e fshiu dhe e zëvendësoi me “përpjekja për të arritur lumturinë.”
Lufta me Britaninë përfundoi në vitin 1783, dhe SHBA, nga 13 koloni arriti në 50 shtete (plus District of Columbia) që është sot, një shtet superfuqi, e paimagjinuar që do arrinte në përmasa të tilla të ndikimit në botë, vetëm nga një kryengritje për çajin.