Ka nisur sot në Durrës fushata “16 ditët e aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Ky aktivitet mblodhi në sheshin “Liria” përpara bashkisë, aktivistë të të drejtave të grave përfaqësues të institucioneve dhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë për të parandaluar dhe eleminuar dhunën kundër vajzave dhe grave.
Për kryetaren e shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”, Bajana Çevelin kjo fushatë është një mundësi e mirë për t`i thënë stop dhunës dhe për të ndërtuar një bashkëpunim sa më të mirë midis institucioneve për parandalimin e saj.
“Sot është një ditë që çelet fushata kundër dhunës në familje. Një fushatë 2 javore, që është në të gjithë botën dhe pikërisht një nismë e OKB-së që ti themi stop dhunës në familje. Është një parandalim i mirë që do të na krijonte një shoqëri të paqme, por duke e ndërtuar së bashku një bashkëpunim midis institucioneve përkatëse si bashkia, policia dhe shoqëria civile, që krijonë mundësin të edukohet një brez i ri pa dhunë në familje.”, shprehet Çeveli.
Drejtoresha e Shërbimit Social Durrës, Meme Xhaferaj shprehu gatishmërinë e bashkisë për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë në çdo rast dhune në familje.
“Sot është çelja e fushatës e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore dhe në fokus janë të gjithë institucionet, shoqëritë civile për të ndërgjegjësuar komunitetit për të reaguar kundër dhunës, për të qenë pjesë e denoncimeve të tyre dhe për të qenë të gjithë bashkë për të luftuar këtë fenomen kaq shqetësues për shoqërinë tonë. Bashkia ka përgjegjësit e veta për të ofruar shërbime, për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë çdo rasti që përjeton dhunë në familje. Por në të njejtën linjë ne punojmë edhe për parandalimin dhe këto dy javë këtë gjë kanë për qëllim, parandalimin e dhunës me bazë gjinore.”, tha Xhaferaj.