Të qenit vetëm dhe ndjenja e vetmisë nuk janë e njëjta gjë, dhe kjo diferencë mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.

Një studim i fundit nga Cornell University, tregon se personat që ndihen më të vetmuar sesa sugjerojnë rrethanat e tyre sociale përballen me rreziqe më të larta për sëmundje dhe vdekje.

Sipas studiuesve, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është numri i lidhjeve sociale, por mënyra se si përjetohen ato. Dy persona me të njëjtat rrethana mund të kenë rezultate shumë të ndryshme shëndetësore.

Studimi analizoi mbi 7 mijë të rritur në Angli për më shumë se 13 vite dhe zbuloi se personat që ndihen të vetmuar, edhe kur nuk janë të izoluar, kanë rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme kronike të mushkërive.

Ndërkohë, ata që janë të izoluar, por nuk ndihen të vetmuar, nuk shfaqin rritje të ndjeshme të rrezikut.

Sipas OBSh, rreth 16 % e njerëzve në botë përjetojnë vetmi, duke e kthyer atë në një shqetësim në rritje për shëndetin publik.

Ekspertët theksojnë se zgjidhja nuk është vetëm zgjerimi i rrjeteve sociale, por edhe mënyra si individët i perceptojnë marrëdhëniet e tyre.

Për këtë arsye, mjekët po përdorin gjithnjë e më shumë “përshkrimin social”, duke rekomanduar aktivitete si ecja në grup, vullnetarizmi apo angazhimi në komunitet, për të përmirësuar mirëqenien dhe për të ulur rrezikun për shëndetin.