Empoli e ka siguruar prej kohësh qëndrimin në Serie A, skuadra toskane ndodhet 12 pikë mbi zonën e ftohtë, por djemtë e Andreazzolit po kalojnë një moment të vështirë dhe e kanë harruar shijen e fitores.

Plot 16 javë ka Empoli që nuk fiton në kampionatin italian, duele gjatë së cilave ka regjistruar tetë barazime dhe po kaq disfata.

Suksesi i fundit daton më 12 dhjetor, kur Nedim Bajrami me shokë mposhtnin Napolin 0-1 në “Diego Maradona”.

Skuadra ku aktivizohen edhe dy lojtarët e tjerë të kombëtares kuqezi, Kristjan Asllani e Ardian Ismajli, mban rekord në pesë kampionatet kryesore të Europës në lidhje me ndeshjet pa tri pikë.

Në vend të dytë renditet Rayo Vallecano e Ivan Balliut me 12 përballje pa fitore, teksa ndjekin me radhë Metz (10), Greuther Furth (7) dhe Aston Villa (4).