Shkon në 766 numri i personave të prekur në vend nga COVID-19.
Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur sot se janë 16 raste të reja në 24 orët e fundit.
Harta e të prekurve zgjerohet në Tiranë, në Krujë, Berat dhe Shkodër.
Gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 455.
Deri më tani në vendin tonë kanë humbur jetën 30 persona për shkak të koronavirusit.
TË DHËNAT 29 PRILL
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 270 persona të dyshuar me COVID-19.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë, 1 raste në Shkodër dhe 1 rast në Berat.
Deri në këto momente janë testuar 8028 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 766 raste.
Gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 455.
Nga 281 pacientët aktivë me COVID19 në vendin tonë vetëm 10 % po trajtohen në dy spitalet COVID ndërsa rreth 90% e tyre janë në vetëizolim me simptoma të lehta ose janë pa simptoma dhe monitorohen në mënyrën sistematike nga mjeku i familjes, deklaroi Tomini.
Deri tani 30 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në totalin e të shtruarve në spitalin infektiv, ndodhen edhe 3 raste të importuara COVID19, ushtarë shqiptarë të KFOR të ardhur nga Kosova. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 33 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë Shkodër dhe Berat.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive dhe e shërimeve, është si vijon:
Bashkia Të prekur Të shëruar
Tiranë 318 / 202
Shkodër 108/ 71
Krujë 102/ 9
Durrës 42 /38Fier 37 /32
Kurbin 31
Korçë 19 /18
Elbasan 18 /15
Kukës 18 /10
Lezhë 14 /14
Has 14/12
Kavajë 9/ 8
Lushnje 7/ 4
Vlorë 5/ 4
Pukë 5 /4
Mirditë 5 /3
Rrogozhinë 4 /4
Tropojë 4 /4
Berat 4/ 2
Mallakastër 1 /1
Mat 1
Pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore situata vazhdon të jetë e kontrolluar. Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i pacientëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar.
Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.





