Sërish Athina u kthye në arenë përleshjesh mes anarkistëve të cilët protestonin në përkujtim të ekzekutimit të Aleksandros Grigoropulos dhe policisë.

Anarkistët hodhën kokteile molotov dhe dëmtuan disa makina dhe vitrina dyqanesh,ndërsa policia përdori kimikate dhe granata shpërthyese.

Deri tani raportohen 6 të arrestuar dhe më shumë se 70 të ndaluar. Autoritetet kanë nisur operacion spastrimi në lagjen Eksarqia për të shpërndarë edhe protestuesit e fundit që ndodhen në zonë.

Vrasja e 15-vjeçarit Grigoropulos ka qenë shkëndija e një sërë protestash të dhunshme që shpërthyen në Athinë pas ngjarjes së rëndë, e cilësuar nga analistët vendas si shkëndija që ndezi zemërimin popullor ndaj pasojave të izolimit social, ndaj pasigurisë për të ardhmen, korrupsionit dhe arrogancës së sistemit politik, dhunës së ligjshme shtetërore.

Trazirat e dhjetorit 2008 janë cilësuar nga mbi 75% e grekëve si një ngjarje e rëndësishme politike që ngjalli edhe debate tepër të forta për dhunën policore aq të kritikuar në vend.

Fakti që Greqia rreth 15 muaj më vonë do të merrte ndihmë ekonomike nga FMN dhe BE vërtetuan se trazirat kishin një baze sociale dhe se shoqëria greke po fillonte të ndërgjegjësohej duke mos toleruar më klasën politike dhe mënyrën e saj të qeverisjes.