Sot mbushen 16 vjet nga tragjedia e sulmeve terroriste të 11 shtatorit që i morën jetën 3000 personave.
Më 11 shtator të vitit 2001, Amerika por e gjithë bota u trondit nga sulmet e tmerrshme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku aeroplanë të rrëmbyer nga terroristët u sulën mbi kullat binjake në New York dhe Pentagon.
Sulmet nisën mëngjesin e 11 shtatorit, kur një aeroplan i marrë peng goditi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë, ndërsa në pak minuta goditet edhe kulla jugore nga një tjetër avion.
Gjithçka ndodhi në një distancë të shkurtër kohore, duke mos iu dhënë mundësi autoriteteve të merrnin të gjitha masat e duhura, kur një tjetër avion goditi fasadën perëndimore të Pentagonit.
Kjo ngjarje e tmerrshme la të vdekur 2 997 persona, ndërsa më tepër se 6000 të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmet u kryen nga pjesëtarë të grupit terrorist Al Kaeda, ndërsa kjo ngjarje tragjike shënoi fillimin e fushatës së përgjithshme amerikane dhe perëndimore kundër terrorizmit, e cila rezultoi me luftërat në Afganistan dhe Irak, me hapjen e burgut në Guantanamo, përforcim të masave të sigurisë dhe agjencive në favor të së drejtave të njeriut, me rritje të buxhetit ushtarak.