Vjedhja është një fenomen thuajse i zakonshëm tashmë në Tiranë, por historia e një vajze të arrestuar rreth tre muaj më parë pikërisht me këtë akuzë, vetëm e zakonshme nuk është.

Bëhet fjalë për Angjelinën, vajza 17-vjeçare e cila u arrestua nga policia e kryeqytetit së bashku me 7 djem të tjerë, mes tyre dhe i dashuri i saj. 17-vjeçarja, e lindur dhe e rritur në Greqi, është kthyer në Tiranë tre vite më parë për shkak të krizës ekonomike.

Por nga një nxënëse e shkëlqyer, duke tentuar të përshtatet me bashkëmoshataret, ajo përfundoi në shoqëri të papërshtatshme. Në një intervistë për “Top Channel”, Angjelina rrëfen: “Vidhja të miturit, inskenonim sikur ziheshim, vidhja telefonë në karikim në lokale, ua vidhnin fëmijëve dhe moshave të vogla, nëse ishte telefon e shisnim, nëse ishin lekë, shkonim tek shtëpia e një shokut tonë dhe hanim e pinim. Ata thonin se nga vjedhja ke gjithmonë lek. Dhe unë u mora me atë sport. E bënim më tepër si me gallatë.”

Por e ashtuquajtura “gallatë” nuk zgjati për shumë kohë, duke qenë se pas arrestimit të të dashurit, 17-vjeçarja tentoi të vrasë veten. 

“Se si m'u duk jeta bosh, pa ngjyra, pa asnjë gjë, edhe vendosa t’i jap fund jetës.”– thotë ajo. Por në vend të vetflijimit, ajo vendosi të vijojë vjedhjet qëllimisht për t’u arrestuar nga policia.

“Mendoja të isha në burg me të dashurin, por nuk e dija se kishte burg më vete për femra, e më vete për meshkujt.”– shprehet ajo.

Angjelina thotë se nuk e di se në sa vjedhje ka marrë pjesë, por ajo që di është se gjithçka që grupi ka fituar janë para që janë shpenzuar në festa dhe lokale. /TCH